Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 9:1-29

Marku 9:1-29 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Jezui u tha: «Me të vërtetë po ju them se disa nga ata që janë këtu nuk do ta provojnë vdekjen pa e parë mbretërinë e Perëndisë duke ardhur me fuqi». Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin e i çoi në një mal të lartë, në një vend të veçuar. Atëherë ai u shndërrua para tyre dhe rrobat iu bënë vezulluese e aq të bardha, sa askush mbi tokë nuk mund t'i zbardhte aq shumë. Pastaj atyre iu shfaqën Elia me Moisiun që po flisnin me Jezuin. Pjetri i tha Jezuit: «Mësues, sa mirë që jemi këtu! Le të ngremë tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». Në të vërtetë nuk dinte ç'të thoshte, se u kishte hyrë tmerri. Atëherë doli një re që i mbuloi me hijen e saj dhe nga reja u dëgjua një zë: «Ky është Biri im i dashur. Dëgjojeni!». Dhe, befas, kur shikuan përreth, nuk panë askënd përveç Jezuit që ishte me ta. Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi të mos i tregonin askujt çfarë kishin parë, derisa Biri i njeriut të ngjallej prej të vdekurve. Ata e mbajtën fjalën dhe pyesnin veten: ç'do të thotë të ngjallesh prej të vdekurve? Pastaj e pyetën Jezuin: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». Ai u tha: «Është e vërtetë se Elia do të vijë më parë për të vënë gjithçka në vendin e vet. Po përse është shkruar se Biri i njeriut do të vuajë shumë e do të përçmohet? Megjithatë unë po ju them se Elia ka ardhur e me të bënë çfarë deshën, siç është shkruar për të». Kur erdhën te dishepujt e tjerë, panë rreth tyre një turmë të madhe dhe shkruesit që po diskutonin me ta. Tërë ajo turmë u habit kur e pa Jezuin. Njerëzit vrapuan tek ai dhe e përshëndetën. Jezui i pyeti: «Çfarë po diskutoni me ta?». Njëri nga turma iu përgjigj: «Mësues, të kam sjellë tim bir, se e mundon një shpirt që nuk e lë të flasë. Kudo që e kap, e përplas përdhe dhe ai nxjerr shkumë nga goja, kërcëllin dhëmbët e mpihet. U thashë edhe dishepujve të tu t'ia dëbojnë, por nuk mundën». Jezui tha: «O brezni e pafe! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». Ata e sollën djaloshin tek ai. Kur e pa Jezuin, shpirti e shkundi menjëherë djalin. Ai ra përdhe e u rrotullua duke i dalë shkumë nga goja. Jezui e pyeti të atin e djalit: «Sa kohë ka që është kështu?». Ai u përgjigj: «Që në fëmijëri. Disa herë e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta vrarë. Nëse mundesh, ki dhembshuri për ne e na ndihmo!». Jezui i tha: «Nëse mundem? Gjithçka është e mundur për atë që beson». Menjëherë i ati i fëmijës thirri: «Besoj. Ndihmomë në besimin tim të pakët!». Kur Jezui pa se turma po mblidhej me vrap, e qortoi shpirtin e ndyrë e i tha: «Shpirt memec e shurdh, po të urdhëroj: dil prej tij e mos hyr më kurrë!». Shpirti bërtiti dhe si e shkundi mirë, doli prej tij e djali mbeti si i vdekur, saqë të gjithë thoshin: «Ka vdekur». Por Jezui e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë djali u ngrit në këmbë. Kur hyri në shtëpinë ku po rrinin, dishepujt e pyetën veçmas: «Përse ne nuk mundëm ta dëbonim?». Jezui u tha: «Ky lloj shpirti nuk mund të dëbohet ndryshe, përveçse me lutje».

Marku 9:1-29 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj u tha atyre: ''Në të vërtetë ju them se midis jush që jeni këtu ka disa që nuk do ta shijojnë vdekjen para se të shohin të vijë me fuqi mbretëria e Perëndisë''. Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe i çoi në vetmi, vetëm ata, mbi një mal të lartë; dhe u shpërfytyrua përpara tyre. Dhe rrobat e tij u bënë të shndritshme dhe krejt të bardha, si bora, më të bardha nga sa nuk mund t'i zbardhojë asnjë rrobalarës mbi tokë. Dhe atyre iu shfaqën Elia me Moisiun, që po bisedonin me Jezusin. Atëherë Pjetri e mori fjalën dhe i tha Jezusit: ''Mësues, për ne është mirë të jemi këtu; bëjmë, pra, tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian!''. Në fakt ai nuk dinte çfarë thoshte, sepse ata ishin të trembur. Pastaj erdhi një re dhe i mbuloi me hijen e vet; dhe nga reja doli një zë që tha: ''Ky është Biri im i dashur; dëgjojeni!''. Dhe menjëherë ata shikuan rreth e qark, por nuk panë më asnjëri, përveçse Jezusi fill i vetëm me ta. Tani kur po zbrisnin nga mali, Jezusi i urdhëroi të mos i tregojnë askujt gjërat që kishin parë, derisa i Biri i njeriut të ringjallej prej së vdekuri. Ata e mbajtën porosinë dhe diskutonin mes tyre se ç'do të thoshte të ringjallesh prej së vdekuri. Pastaj e pyetën duke thënë: ''Përse skribët thonë se më parë duhet të vijë Elia?''. Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: ''Elia me të vërtetë duhet të vijë më parë dhe të rivendosë çdo gjë; por, ashtu siç është shkruar për Birin e njeriut, ai duhet të vuajë shumë gjëra dhe të përçmohet. Por unë po ju them se Elia erdhi dhe me të bënë ç'deshën, ashtu siç është shkruar për të''. Mbasi u kthye te dishepujt, pa një turmë të madhe rreth tyre dhe disa skribë që po grindeshin me ta. Dhe menjëherë e gjithë turma, kur e pa, u habit dhe erdhi me vrap për ta përshëndetur. Atëherë ai i pyeti skribët: ''Për çfarë po diskutoni me ta?''. Dhe dikush nga turma, duke u përgjigjur, tha: ''Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece, dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s'e bënë dot. Dhe ai duke u përgjigjur tha: ''O brez që s'beson, deri kur do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Ma sillni këtu!''. Dhe ata ia prunë. Por, sapo e pa, fryma e përplasi me forcë dhe fëmija, që kishte rënë përtokë, rrokullisej duke shkumuar. Dhe Jezusi e pyeti babanë e atij: ''Sa kohë ka që i ndodh kështu?''. Dhe ai tha: ''Që në fëmijëri. Shpesh e ka hedhur në zjarr dhe në ujë për ta shkatërruar por, nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!''. Dhe Jezusi i tha: ''Nëse ti mund të besosh, çdo gjë është e mundshme për atë që beson''. Menjëherë babai i fëmijës, duke bërtitur me lot, tha: ''Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim''. Atëherë Jezusi, duke parë se po vinte turma me vrap, e qortoi frymën e ndyrë duke thënë: ''O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!''. Dhe demoni, duke bërtitur dhe duke e sfilitur fort, doli prej tij. Dhe fëmija mbeti si i vdekur, saqë shumë njerëz thoshin: ''Ka vdekur''. Por Jezusi e zuri për dore, e ngriti dhe ai u çua në këmbë. Kur Jezusi hyri në shtëpi, dishepujt e vet e pyetën veçmas: ''Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?''. dhe ai u tha atyre: ''Ky lloj nuk mund të dëbohet ndryshe, përveç, se me lutje dhe agjërim''.