Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë». Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju, madje edhe më shumë. Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka». Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave». Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj». Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet. Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».
Lexo Marku 4
Dëgjoj Marku 4
Ndaje
Krahaso të gjitha versionet: Marku 4:21-41
Ruaj vargjet, lexo pa lidhje interneti, shiko klipe mësimore dhe më shumë!
Kreu
Bibla
Plane
Video