Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 4:21-41

Marku 4:21-41 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Dhe u tha: «A mos ndizet kandili për ta vënë nën magje a nën shtrat? A nuk duhet vënë mbi mbajtësen e vet? Sepse nuk ka asnjë të fshehtë që s'do të zbulohet e asnjë të fshehtë që s'do të dalë në dritë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë». Pastaj u tha: «Kujdes çfarë dëgjoni! Me masën që do të matni, do të mateni edhe ju, madje edhe më shumë. Atij që ka, do t'i jepet edhe më shumë. Atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka». Dhe tha: «Mbretëria e Perëndisë është si ai njeriu që ka hedhur farën në tokë. Në gjumë apo zgjuar, natë a ditë, fara mbin e rritet pa e ditur as ai sesi. Vetvetiu toka prodhon më parë filizin, pastaj kallirin e më pas kallirin plot me kokrra. Dhe kur piqet fryti, i vihet menjëherë drapri, se është koha e të korrave». Pastaj tha: «Me çfarë ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Me cilën shëmbëlltyrë mund ta përfytyrojmë? Ajo është si fara e sinapit. Kur mbillet në arë, është më e vogla ndër farërat që ka toka, por pasi të jetë mbjellë, rritet e bëhet më e madhja ndër të gjitha barishtet e nxjerr degë aq të mëdha, saqë zogjtë e qiellit mund të strehohen nën hijen e saj». Jezui u shpallte atyre fjalën e Perëndisë me shumë shëmbëlltyra të tilla, në masën që ata ishin në gjendje të kuptonin. Nuk u fliste pa shëmbëlltyra, por kur ishin vetëm, ua shpjegonte të gjitha dishepujve të vet. Po atë ditë, kur ra mbrëmja, Jezui u tha: «Le të shkojmë në bregun tjetër». Ata e lanë pas turmën dhe e morën Jezuin me varkën në të cilën ndodhej. Me të ishin edhe disa varka të tjera. Atëherë filloi një erë e fortë. Valët përplaseshin mbi varkë dhe gati e mbushën plot me ujë. Jezui ishte në kiç, kishte vënë kokën mbi nënkresë e po flinte. Ata e zgjuan e i thanë: «Mësues, a nuk shqetësohesh se po mbytemi?». Jezui u ngrit, qortoi erën e i tha liqenit: «Hesht! Fashitu!». Era pushoi e u bë bunacë e madhe. Pastaj u tha: «Përse keni frikë? Ende nuk keni besim?». Atëherë ata i zuri një frikë e madhe e i thanë njëri-tjetrit: «Vallë, kush është ky që i binden edhe era, edhe liqeni?».

Marku 4:21-41 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Pastaj u tha atyre: ''A merret vallë llamba për ta vënë nën babune ose nën shtrat? A nuk vihet mbi dritëmbajtësen? Sepse nuk ka asgjë të fshehtë që të mos zbulohet, as kurrgjë sekrete që të mos dalin në dritë. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!'' Dhe u tha atyre: ''Vini re atë që dëgjoni. Me atë masë që ju matni, do t'iu matet juve; edhe juve që dëgjoni do t'iu jepet edhe më. Sepse atij që ka, do t'i jepet, por atij që s'ka, do t'i merret edhe ajo që ka. Tha akoma: ''Mbretëria e Perëndisë është si një njeri që hedh farën në dhe. Dhe natën dhe ditën, ndërsa ai fle dhe çohet, fara mbin dhe rritet, pa e ditur ai se si. Sepse dheu prodhon vetvetiu më parë kërcellin, pastaj kallirin, dhe më në fund kallirin plot me kokrra. Dhe kur fryti piqet, menjëherë korrësi i vë draprin, sepse erdhi koha e korrjes. Edhe tha: Me se ta krahasojmë mbretërinë e Perëndisë? Ose me çfarë shëmbëlltyre ta paraqesim? Ajo i ngjan farës së sinapit, që, kur është mbjellë në dhe, është më e vogla nga të gjitha farërat që janë mbi dhe; por, pasi mbillet, rritet dhe bëhet më e madhe se të gjitha barishtet; dhe lëshon degë aq të mëdha, sa zogjtë e qiellit mund të gjejnë strehë nën hijen e saj''. Dhe me shumë shëmbëlltyra të tilla, u shpallte atyre fjalën, ashtu si ata ishin në gjendje ta kuptojnë. Dhe nuk u fliste atyre pa shëmbëlltyra, ndërsa dishepujve të tij, veçmas, u shpjegonte çdo gjë. Tani po atë ditë, si u ngrys, u tha atyre: ''Kalojmë te bregu matanë! Dhe dishepujt, si e nisën popullin, e morën me vete Jezusin, ashtu si ishte, në barkë. Me të ishin edhe disa barka të tjera të vogla. Ndërkaq shpërtheu një furtunë e madhe dhe valët përplaseshin mbi barkë aq shumë sa ajo po mbushej. Ai ndërkaq po flinte në kiç mbi një jastëk. Ata e zgjuan dhe i thanë: ''Mësues, a nuk merakosesh që ne po marrim fund?''. Dhe ai si u zgjua, e qortoi erën dhe i foli detit: ''Pusho dhe fashitu!''. Dhe era pushoi dhe u bë qetësi e madhe. Atëherë u tha atyre: ''Pse jeni ju aq frikacakë? Vallë, si nuk keni besim?''. Dhe ata i zuri një frikë e madhe dhe i thoshin njëri-tjetrit: ''Vallë, kush është ky, që po i binden edhe era edhe deti?''.