Një shkrues, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?». Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. Ndërsa urdhërimi i dytë është: duaje të afërtin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto». Shkruesi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij. Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë forcë dhe të duash të afërtin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet». Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk pati guxim ta pyeste më.
Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë shkruesit se Krishti është Biri i Davidit? Vetë Davidi ka thënë përmes Shpirtit të shenjtë:
i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time,
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?».
Turma e madhe e dëgjonte me ëndje.
Ndërsa i mësonte, u thoshte: «Ruhuni nga shkruesit që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t'i përshëndesin shesheve, që zënë vendet e para nëpër sinagoga e kryet e vendit nëpër festa, që përlajnë pasuritë e vejushave e luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë».
Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para. Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant. Jezui thirri dishepujt e u tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi në arkën e thesarit më shumë se të gjithë të tjerët, sepse të gjithë dhanë nga tepricat e tyre, ndërsa ajo, në varfërinë e saj, dha gjithçka që kishte për të jetuar».