Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Marku 12:28-44

Marku 12:28-44 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Një shkrues, që i kishte dëgjuar tek diskutonin, kur pa se u ishte përgjigjur drejt, e pyeti: «Cili është urdhërimi më i rëndësishëm?». Jezui u përgjigj: «Urdhërimi më i rëndësishëm është: dëgjo Izrael! Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot dhe ti duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde. Ndërsa urdhërimi i dytë është: duaje të afërtin si veten! Nuk ka urdhërime më të mëdha se këto». Shkruesi i tha: «Mirë, mësues, ti ke të drejtë kur thua se ai është një dhe se nuk ka të tjerë përveç tij. Ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë forcë dhe të duash të afërtin si veten vlen më shumë se të gjitha shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet». Kur pa se iu përgjigj me mend, Jezui i tha: «Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë». Dhe askush nuk pati guxim ta pyeste më. Ndërsa po mësonte njerëzit në tempull, Jezui i pyeti: «E si mund të thonë shkruesit se Krishti është Biri i Davidit? Vetë Davidi ka thënë përmes Shpirtit të shenjtë: i tha Zoti Zotit tim: ulu në të djathtën time, derisa t'i vë armiqtë e tu nën këmbët e tua. Kur vetë Davidi e thërret Zot, si mund të jetë ai biri i tij?». Turma e madhe e dëgjonte me ëndje. Ndërsa i mësonte, u thoshte: «Ruhuni nga shkruesit që kënaqen kur mbajnë rroba të gjata, me qëllim që të tjerët t'i përshëndesin shesheve, që zënë vendet e para nëpër sinagoga e kryet e vendit nëpër festa, që përlajnë pasuritë e vejushave e luten gjatë për të rënë në sy. Këta do të marrin ndëshkim më të rëndë». Si u ul përballë arkës së thesarit, Jezui shikonte turmën që hidhte monedha të vogla në thesar. Shumë të pasur hidhnin shumë para. Aty erdhi një vejushë e varfër dhe hodhi dy monedha bakri, domethënë një kuadrant. Jezui thirri dishepujt e u tha: «Me të vërtetë po ju them se kjo vejushë e varfër hodhi në arkën e thesarit më shumë se të gjithë të tjerët, sepse të gjithë dhanë nga tepricat e tyre, ndërsa ajo, në varfërinë e saj, dha gjithçka që kishte për të jetuar».

Marku 12:28-44 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: ''Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?''. Dhe Jezusi u përgjigj: ''Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot", dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim. Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta''. Atëherë skribi i tha: ''Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s'ka asnjë tjetër përveç tij; dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë holokaustet dhe flijimet''. Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: ''Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë''. Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë. Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: ''Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit? Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua". Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?''. Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje. Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: ''Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t'i përshëndetin në sheshe, dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti, që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t'u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!''. Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë. Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant. Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: ''Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët. Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar''.