Pastaj shkuan në Kafarnaum dhe menjëherë, ditën e shtunë, Jezui hyri në sinagogë e filloi të mësonte njerëzit. Ata mahniteshin nga mësimi i tij, se i mësonte me pushtet e jo si shkruesit. Në sinagogë ishte një njeri i pushtuar nga një shpirt i ndyrë që filloi të thërriste: «Çfarë ke me ne, o Jezu i Nazaretit? A ke ardhur të na shkatërrosh? Unë e di kush je: ti je i shenjti i Perëndisë». Por Jezui e qortoi e i tha: «Hesht e dil prej tij!». Shpirti i ndyrë doli prej tij duke e shkundur e duke thirrur me zë të lartë. Të gjithë u mahnitën e pyesnin njëri-tjetrin: «Ç'është kjo? Një mësim i ri, i dhënë me pushtet! Ai urdhëron deri edhe shpirtrat e ndyrë e ata i binden».
E sakaq fama e tij u përhap kudo nëpër rrethinat e Galilesë.
Kur doli nga sinagoga, Jezui shkoi menjëherë në shtëpinë e Simonit e të Andreas, bashkë me Jakobin e Gjonin. Sapo hyri, i treguan për vjehrrën e Simonit që dergjej në shtrat me ethe. Ai iu afrua, e mori për dore dhe e ngriti. Atëherë atë e lanë ethet e filloi t'u shërbente.
Në mbrëmje, në perëndim të diellit, sollën tek ai të gjithë të sëmurët dhe të pushtuarit nga djalli. I tërë qyteti ishte mbledhur te dera. Jezui shëroi shumë veta që vuanin nga sëmundje të ndryshme e dëboi shumë djaj. Ai nuk i lejonte djajtë të flisnin, sepse ata e dinin kush ishte.
Në mëngjes herët, shumë kohë përpara se të agonte, Jezui u ngrit e shkoi në një vend të shkretë për t'u lutur. Simoni dhe të tjerët që ishin me të shkuan pas tij, e gjetën e i thanë: «Të gjithë po të kërkojnë». Ai u tha: «Le të shkojmë më tej në fshatrat e tjera, që të predikoj edhe atje, sepse për këtë gjë kam ardhur». Dhe shkonte nëpër gjithë Galilenë, duke predikuar në sinagogat e tyre e duke dëbuar djajtë.
Një i lebrosur shkoi tek ai dhe, duke iu përgjëruar e duke i rënë në gjunjë, i tha: «Po të duash, ti mund të më pastrosh». Jezui ndjeu dhembshuri, shtriu dorën, e preku e i tha: «Dua. Pastrohu!». Dhe lebra e la menjëherë e ai u pastrua. Jezui e largoi menjëherë dhe e urdhëroi rreptësisht: «Mos i trego njeriu, por shko paraqitu te prifti dhe kushto për pastrimin tënd atë që ka urdhëruar Moisiu. Kjo do t'u shërbejë si dëshmi». Por sapo doli, ai filloi të hapte fjalë e ta shpallte këtë gjë, saqë Jezui nuk mundi të hyjë më haptas në qytet, por qëndroi jashtë nëpër vende të shkreta. Dhe njerëzit vinin tek ai nga çdo anë.