Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 6

6
Lëmosha
1«Ruhuni të mos i bëni veprat e mira#6.1 dorëshk. të tjera: të mos e jepni lëmoshën në sy të njerëzve për t'u dukur para tyre, se kështu nuk do të keni shpërblim tek Ati juaj që është në qiej. 2Kur të japësh lëmoshë, mos trumbeto me të madhe për të tërhequr vëmendjen, siç bëjnë hipokritët nëpër sinagoga e nëpër rrugë, që të marrin lëvdata nga njerëzit. Me të vërtetë po ju them: ata e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre. 3Por kur të japësh lëmoshë, dora jote e majtë të mos e dijë çfarë bën e djathta, 4në mënyrë që lëmosha jote të mbetet e fshehtë dhe Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë».
Ati ynë
(Lk 11.2-4)
5«Kur të luteni, mos u bëni si hipokritët, të cilëve u pëlqen të luten më këmbë nëpër sinagoga e udhëkryqe, për t'u dukur para njerëzve. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 6Por kur ti të lutesh, hyr në dhomën tënde, mbylle derën e lutju Atit tënd që është aty në fshehtësi, e Ati yt që sheh në fshehtësi do të ta shpërblejë. 7Kur të luteni, mos thoni fjalë të shumta si popujt e kombeve. Ata mendojnë se duke folur shumë, do të dëgjohen. 8Mos bëni si ata, se Ati juaj e di mirë për çfarë keni nevojë përpara se t'ia kërkoni. 9Prandaj ju lutuni kështu:
Ati ynë që je në qiej,
u shenjtëroftë emri yt,
10ardhtë mbretëria jote,
u bëftë vullneti yt,
si në qiell, edhe në tokë.
11Bukën tonë të përditshme#6.11 ose: të mbiqenësishme
na e jep sot.
12Na i fal detyrimet tona,
siç edhe ne ua falëm detyronjësve tanë#6.12 ose: Na i fal fajet tona, siç ua falim ne fajtorëve tanë.
13E mos na vër në sprovë#6.13 ose: E mos na shtjer në tundim,
por na çliro nga i ligu.#6.13 dorëshk. të tjera edhe: sepse e jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen!
14Nëse ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë edhe Ati juaj qiellor do t'jua falë juve, 15por nëse ju nuk do t'ua falni njerëzve paudhësitë, atëherë as Ati juaj nuk do t'jua falë juve ato».
Agjërimi
16«Kur të agjëroni, mos merrni hije të rëndë, siç bëjnë hipokritët. Ata e shtrembërojnë fytyrën për t'u treguar njerëzve se po agjërojnë. Me të vërtetë po ju them se ata e kanë marrë shpërblimin e tyre. 17Ndërsa ti, kur të agjërosh, lyeje kokën me erë të mirë e laje fytyrën, 18që agjërimi yt të mos duket para njerëzve, por të duket para Atit tënd që është në fshehtësi. E Ati yt, që sheh në fshehtësi, do të ta shpërblejë#6.18 dorëshk. të tjera edhe: haptas».
Thesari në qiell
(Lk 12.33-34)
19«Mos mblidhni për vete thesare mbi tokë, ku i brejnë tenja e ndryshku, ku vjedhësit thyejnë shtëpinë e plaçkitin. 20Prandaj, mblidhni thesare në qiell! Atje nuk ka as tenjë e as krimb që t'i brejë, nuk ka as vjedhës, që plaçkitin e vjedhin. 21Sepse atje ku është thesari yt, atje do të jetë edhe zemra jote».
Drita e trupit
(Lk 11.34-36)
22«Syri është drita e trupit. Nëse syri yt është i fortë, tërë trupi yt do të jetë i ndriçuar. 23Por, nëse syri yt është i sëmurë, tërë trupi yt do të jetë në errësirë. Nëse drita që është në ty është errësirë, sa e madhe do të jetë errësira!».
Perëndia dhe Mamoni
(Lk 16.13)
24«Askush nuk mund t'u shërbejë dy zotërinjve. Ai ose do të urrejë njërin e do të dojë tjetrin, ose do të jepet pas njërit e do të lërë pas dore tjetrin. Nuk mund t'i shërbeni edhe Perëndisë, edhe parasë».
Kujdesi dhe ankthi
(Lk 12.22-34)
25«Prandaj po ju them: mos u shqetësoni për jetën tuaj se çfarë do të hani e çfarë do të pini, as për trupin tuaj se çfarë do të vishni. A nuk vlen jeta më shumë se ushqimi dhe trupi më shumë se veshja? 26Shikoni zogjtë e qiellit! Ata as mbjellin, as korrin, as mbledhin në grunarë e megjithatë Ati juaj qiellor i ushqen. A nuk vleni ju më shumë? 27Kush nga ju, me gjithë përkujdesjen për veten, do të mund ta zgjaste qoftë edhe pak jetën e vet? 28Po për veshjet, përse shqetësoheni? Shikoni si rriten zambakët e fushave. Ata as nuk lodhen e as nuk endin, 29por unë po ju them se as vetë Solomoni, në gjithë madhështinë e tij, nuk ishte veshur si ndonjë prej tyre. 30Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? 31Mos u shqetësoni, pra, e mos thoni: “Çfarë do të hamë?”, “Çfarë do të pimë?” apo “Me se do të vishemi?”. 32Janë kombet ato që i kërkojnë të gjitha këto gjëra, ndërsa Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto. 33Kërkoni së pari mbretërinë e Perëndisë e drejtësinë e tij dhe ai do t'jua japë edhe ato gjëra. 34Prandaj mos u shqetësoni për të nesërmen. E nesërmja ka shqetësimet e veta. Çdo dite i mjafton pikëllimi i vet».

Aktualisht i përzgjedhur:

Mateu 6: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë