Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Mateu 16:13-23

Mateu 16:13-23 AL1

Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti. Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».