Mateu 16:13-23
Mateu 16:13-23 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Kur erdhi në krahinën e Cezaresë së Filipisë, Jezui i pyeti dishepujt e vet: «Kush thonë njerëzit se është Biri i njeriut?». Ata i thanë: «Disa thonë se është Gjon Pagëzori, të tjerë se është Elia e të tjerë se është Jeremia ose njëri nga profetët». Ai u tha: «Po ju, kush thoni se jam unë?». Atëherë Simon Pjetri u përgjigj: «Ti je Krishti, Biri i Perëndisë së gjallë». Jezui i tha: «Lum ti, Simon, biri i Jonait, se as mishi, as gjaku nuk ta zbuluan këtë gjë, por Ati im që është në qiej! Dhe unë po të them: ti je Pjetri. Mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe portat e skëterrës nuk do ta mposhtin. Ty do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve. Çfarëdo që të lidhësh në tokë, do të jetë e lidhur në qiej dhe çfarëdo që të zgjidhësh në tokë, do të jetë e zgjidhur në qiej». Pastaj i urdhëroi dishepujt të mos i tregonin askujt se ai ishte Krishti. Që nga ajo kohë, Jezui filloi t'u tregonte dishepujve se duhej të shkonte në Jerusalem e të vuante shumë për shkak të pleqve, kryepriftërinjve e shkruesve. Pastaj do ta vrisnin, por ditën e tretë do të ngjallej. Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortonte e i tha: «Larg qoftë, o Zot! Kjo mos të ndodhtë kurrë». Por Jezui u kthye nga ai e i tha: «Largohu prej meje, Satan! Ti po më bëhesh pengesë, sepse nuk mendon sipas Perëndisë, por sipas njerëzve».
Mateu 16:13-23 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: ''Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?''. Dhe ata thanë: ''Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët''. Ai u tha atyre: ''Po ju, kush thoni se jam unë?''. Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: ''Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë''. Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: ''I lum je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej. Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë. Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej''. Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thoshin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti. Që nga ai çast Jezusi filloi t'u sqarojë dishepujve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem, të vuante shumë për shkak të pleqve, të krerëve të priftërinjve dhe të skribëve, se do të vritej dhe do të ringjallej të tretën ditë. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe nisi ta qortojë duke thënë: ''O Zot, të shpëtoftë Perëndia; kjo nuk do të të ndodhë kurrë''. Por ai u kthye dhe i tha Pjetrit: ''Shporru prej meje, o Satan! Ti je një skandal për mua, sepse s'ke ndër mend punët e Perëndisë, por punët e njerëzve''.