Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Malakia 1:1-14

Malakia 1:1-14 AL1

Shpallje! Fjala e ZOTIT drejtuar Izraelit nëpërmjet Malakisë. «Ju kam dashur, thotë ZOTI, por ju thoni: “Si na ke dashur?”. A nuk ishte Esau vëllai i Jakobit? Kumton ZOTI. Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Malet e Esaut i shkretova, trashëgiminë e tij ua hodha çakejve të shkretëtirës. Nëse Edomi thotë: “U shpartalluam, por prapë do t'i rindërtojmë rrënojat”, ZOTI i ushtrive do të thotë: “Ata do të ndërtojnë, por unë do të rrënoj. Ata do të quhen vend i lig, populli me të cilin ZOTI u zemërua përjetë! Do ta shihni me sytë tuaj e do të thoni: i madh është ZOTI edhe përtej kufijve të Izraelit”. Biri e nderon të atin dhe shërbëtori të zotin. Nëse unë jam atë, ku është nderi që më përket? Nëse unë jam zot, ku është droja që më përket, ju thotë ZOTI i ushtrive juve, priftërinjve, që përçmoni emrin tim. Ju thoni: “Si e përçmuam emrin tënd?”. Kur sillni mbi altarin tim bukë të ndotur. Ju thoni: “Si të përdhosëm?”. Kur thoni se tryeza e ZOTIT është e ndyrë. Kur sillni për flijim kafshë të verbra e prapë thoni: “S'ka gjë!”. Kur sillni kafshë të çala e të sëmura e prapë thoni: “S'ka gjë!”. Sillja prijësit tënd e të shohim nëse do t'i pëlqejë, nëse do të të falë, thotë ZOTI i ushtrive. Tani, pra, përgjëroju Perëndisë, që të ketë mëshirë për ty. Me këtë dhuratë në dorë, a thua nuk do të të falë, thotë ZOTI i ushtrive? Më mirë t'i mbyllni fare portat e tempullit, sesa ta ndizni më kot zjarrin në altarin tim. Nuk jam i kënaqur me ju, thotë ZOTI i ushtrive. Nuk i pëlqej dhuratat që vijnë prej dorës suaj. Emri im është i madh ndër kombe, që nga lind dielli e deri ku perëndon. Temjan e kushtime të pastra i kushtohen emrit tim në çdo vend, sepse i madh është emri im ndër kombe, thotë ZOTI i ushtrive. Por, ju e përdhosni kur thoni: “Tryeza e Zotit është e ndyrë dhe ushqimi mbi të është i përbuzshëm”. Pastaj i shfryheni ZOTIT të ushtrive e thoni: “Ç'kokëçarje!”. Ju më sillni për fli kafshë të vjedhura, të çala e të sëmura. A thua do t'i pranoj prej dorës suaj, thotë ZOTI? Mallkuar qoftë mashtruesi që flijon për Zotin një kafshë të metë, kur ka kafshë të patëmeta në kopenë e vet. Unë jam mbret i madhërishëm, thotë ZOTI i ushtrive dhe emri im druhet ndër kombe».