Malakia 1:1-14
Malakia 1:1-14 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Shpallje! Fjala e ZOTIT drejtuar Izraelit nëpërmjet Malakisë. «Ju kam dashur, thotë ZOTI, por ju thoni: “Si na ke dashur?”. A nuk ishte Esau vëllai i Jakobit? Kumton ZOTI. Jakobin e desha, por Esaun e urreva. Malet e Esaut i shkretova, trashëgiminë e tij ua hodha çakejve të shkretëtirës. Nëse Edomi thotë: “U shpartalluam, por prapë do t'i rindërtojmë rrënojat”, ZOTI i ushtrive do të thotë: “Ata do të ndërtojnë, por unë do të rrënoj. Ata do të quhen vend i lig, populli me të cilin ZOTI u zemërua përjetë! Do ta shihni me sytë tuaj e do të thoni: i madh është ZOTI edhe përtej kufijve të Izraelit”. Biri e nderon të atin dhe shërbëtori të zotin. Nëse unë jam atë, ku është nderi që më përket? Nëse unë jam zot, ku është droja që më përket, ju thotë ZOTI i ushtrive juve, priftërinjve, që përçmoni emrin tim. Ju thoni: “Si e përçmuam emrin tënd?”. Kur sillni mbi altarin tim bukë të ndotur. Ju thoni: “Si të përdhosëm?”. Kur thoni se tryeza e ZOTIT është e ndyrë. Kur sillni për flijim kafshë të verbra e prapë thoni: “S'ka gjë!”. Kur sillni kafshë të çala e të sëmura e prapë thoni: “S'ka gjë!”. Sillja prijësit tënd e të shohim nëse do t'i pëlqejë, nëse do të të falë, thotë ZOTI i ushtrive. Tani, pra, përgjëroju Perëndisë, që të ketë mëshirë për ty. Me këtë dhuratë në dorë, a thua nuk do të të falë, thotë ZOTI i ushtrive? Më mirë t'i mbyllni fare portat e tempullit, sesa ta ndizni më kot zjarrin në altarin tim. Nuk jam i kënaqur me ju, thotë ZOTI i ushtrive. Nuk i pëlqej dhuratat që vijnë prej dorës suaj. Emri im është i madh ndër kombe, që nga lind dielli e deri ku perëndon. Temjan e kushtime të pastra i kushtohen emrit tim në çdo vend, sepse i madh është emri im ndër kombe, thotë ZOTI i ushtrive. Por, ju e përdhosni kur thoni: “Tryeza e Zotit është e ndyrë dhe ushqimi mbi të është i përbuzshëm”. Pastaj i shfryheni ZOTIT të ushtrive e thoni: “Ç'kokëçarje!”. Ju më sillni për fli kafshë të vjedhura, të çala e të sëmura. A thua do t'i pranoj prej dorës suaj, thotë ZOTI? Mallkuar qoftë mashtruesi që flijon për Zotin një kafshë të metë, kur ka kafshë të patëmeta në kopenë e vet. Unë jam mbret i madhërishëm, thotë ZOTI i ushtrive dhe emri im druhet ndër kombe».
Malakia 1:1-14 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Orakulli i fjalës të Zotit iu drejtua Izraelit me anë të Malakias. "Unë ju kam dashur", thotë Zoti. Por ju thoni: "Si na ke dashur?". "Vallë Esau nuk ishte vëllai i Jakobit?", thotë Zoti. "Megjithëkëtë, unë e kam dashur Jakobin dhe e kam urryer Esaun; malet e tij i kam kthyer në shkreti dhe trashëgiminë e tij ua kam dhënë çakejve të shkretëtirës. Edhe sikur Edomi të thotë: "Ne u shkatërruam, por do të rifillojmë ndërtimin e vendeve të shkretuara"", kështu thotë Zoti i ushtrive, "ata do të rindërtojnë, por unë do të shemb; dhe do të emërtohen Territori i paudhësisë dhe populli kundër të cilit Zoti do të jetë përjetë i indinjuar. Sytë tuaj do të shikojnë dhe ju do të thoni: "Zoti u përlëvdua përtej kufijve të Izraelit"". "Një bir nderon të atin dhe një shërbëtor zotin e tij. Në se unë, pra, jam ati, ku është nderi im? Dhe në se jam zot, ku ma kanë frikën?", iu thotë Zoti i ushtrive juve, priftërinjve, "që përbuzni Ju ofroni mbi altarin tim ushqime të ndotura, dhe megjithatë thoni: "Në ç'mënyrë të kemi ndotur?". Kur thoni: "Tryeza e Zotit është e përbuzshme". Kur ofroni për flijim një kafshë të verbër, a nuk është keq? Kur ofroni një kafshë të çalë ose të sëmurë, nuk është keq? Paraqite, pra, te qeveritari yt. A do të jetë i kënaqur prej teje? Do të të pranojë me kënaqësi?", thotë Zoti i ushtrive. Tani, pra, kërkoni favorin e Perëndisë, që ai të ketë mëshirë për ne. "Duart tuaja e kanë bërë këtë, a do t'ju pranojë vallë me kënaqësi?", thotë Zoti i ushtrive. "Oh, sikur të paktën dikush prej jush t'i mbyllte dyert! Atëherë nuk do ta ndiznit zjarrin kot mbi altarin tim. Unë nuk kam asnjë kënaqësi me ju", thotë Zoti i ushtrive, "dhe as që pëlqej çfarëdo oferte nga duart tuaja. Sepse, që nga lind dielli e deri atje ku perëndon, emri im do të jetë i madh midis kombeve dhe në çdo vend do t'i ofrohet temjan emrit tim dhe një blatim i pastër, sepse emri im do të jetë i madh midis kombeve", thotë Zoti i ushtrive. "Por ju e përdhosni kur thoni: "Tryeza e Zotit është e ndotur dhe fryti i saj, domethënë ushqimi i saj, është i përbuzshëm". Ju thoni gjithashtu: "Ah, sa u lodhëm!", dhe e trajtoni me përçmim", thotë Zoti i ushtrive. "Kështu ju sillni kafshë të vjedhura, të çala ose të sëmura; kjo është oferta që sillni. A do të mund ta pranoja nga duart tuaja?", thotë Zoti. Mallkuar qoftë hileqari që ka një mashkull në kopenë e tij dhe bënë një premtim solemn, por flijon për Zotin një kafshë me të meta. Sepse unë jam një Mbret i madh", thotë Zoti i ushtrive, "dhe emri im është i tmerrshëm midis kombeve".