Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Luka 10

10
Dërgimi i shtatëdhjetë e dy dishepujve
1Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë. 2Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta. 3Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve. 4Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd. 5Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. 6Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju. 7Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t'ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën. 8Në çdo qytet ku të hyni e t'ju mirëpresin, hani çfarë t'ju vënë para, 9shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”. 10Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni: 11“Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”. 12Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet».
Mjerë qytetet e papenduara
(Mt 11.20-24)
13«Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi. 14Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit. 15Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
16Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».
Kthimi i të shtatëdhjetedyve
17Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!». 18Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe. 19Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t'ju bëjë keq. 20Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».
Gëzimi i Jezuit
(Mt 11.25-27; 13.16-17)
21Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.
22Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë». 23Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju! 24Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».
Samaritani i mirë
25Atëherë një mësues i ligjit u ngrit për ta vënë në provë Jezuin e i tha: «Mësues, çfarë duhet të bëj për të trashëguar jetën e amshuar?». 26Jezui i tha: «Çfarë shkruhet në ligj? Çfarë lexon atje?». 27Ai iu përgjigj: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde e me gjithë mendjen tënde dhe duaje të afërtin si veten». 28Jezui i tha: «U përgjigje drejt. Bëj kështu e do të jetosh». 29Por ai, meqenëse donte t'i jepte të drejtë vetes, i tha Jezuit: «Kush është i afërti?». 30Jezui iu përgjigj: «Një njeri po zbriste nga Jerusalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve që e zhveshën, e rrahën e pastaj ikën dhe e lanë gjysmë të vdekur. 31Rastësisht një prift po zbriste asaj rruge dhe, kur e pa, kaloi në anën tjetër. 32Po kështu edhe një levit, kur arriti tek ai vend dhe e pa, kaloi në anën tjetër. 33Por një samaritan që po udhëtonte andej, iu afrua dhe kur e pa, ndjeu dhembshuri për të. 34Shkoi tek ai, i derdhi vaj e verë mbi plagë dhe ia lidhi. Pastaj e ngarkoi mbi kafshën e vet, e çoi në një bujtinë dhe u kujdes për të. 35Të nesërmen nxori dy denarë, ia dha të zotit të bujtinës e i tha: “Kujdesu për të dhe kur të kthehem, do të të paguaj për çfarë do të shpenzosh më tepër”.
36Cili prej këtyre të treve, mendon ti, u bë “i afërti” për atë që ra në duart e kusarëve?». 37Ai tha: «Ai që tregoi mëshirë». Jezui i tha: «Shko e bëj edhe ti kështu!».
Te Marta dhe Maria
38Ndërsa po udhëtonin, Jezui hyri në një fshat, ku një grua me emrin Martë e priti në shtëpi. 39Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Zotit dhe dëgjonte fjalët e tij. 40Por Marta ishte e zënë me punë të shumta, prandaj erdhi te Jezui e i tha: «Zot, a nuk e vë re se motra ime më ka lënë t'i bëj të gjitha punët vetëm? Thuaji, pra, të më ndihmojë!». 41Por Zoti iu përgjigj: «Martë, Martë, ti je e shqetësuar dhe e zënë me shumë gjëra, 42por vetëm një gjë është e nevojshme. Maria zgjodhi pjesën më të mirë që nuk do t'i merret».

Aktualisht i përzgjedhur:

Luka 10: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë