Pas këtyre gjërave, Zoti caktoi shtatëdhjetë e dy të tjerë dhe i dërgoi përpara dy nga dy në çdo qytet e në çdo vend ku do të shkonte ai vetë. Dhe u tha: «Të korrat janë të mëdha, por punëtorë ka pak. Lutjuni të zotit të të korrave të dërgojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj si qengjat mes ujqve. Mos merrni me vete as para, as trastë, as sandale. Udhës mos përshëndetni askënd. Në cilëndo shtëpi të hyni, së pari thoni: “Paqja me këtë shtëpi!”. Nëse dikush aty është bir i paqes, paqja juaj do të zbresë mbi të; nëse jo, do të kthehet te ju. Qëndroni në atë shtëpi dhe hani e pini çfarë t'ju shtrojnë para, sepse punëtori ka të drejtë të shpërblehet. Mos u endni nga një shtëpi në tjetrën. Në çdo qytet ku të hyni e t'ju mirëpresin, hani çfarë t'ju vënë para, shëroni të sëmurët që gjenden aty e u thoni: “Mbretëria e Perëndisë është pranë jush”. Por nëse hyni në një qytet e nuk ju mirëpresin, dilni nëpër sheshet e tij e thoni: “Edhe pluhurin e qytetit tuaj, që na është ngjitur këmbëve, po jua shkundim. Por veç ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër”. Unë po ju them se atë ditë Sodoma do ta ketë më të lehtë se ai qytet».
«Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke u ulur në hi. Megjithatë, Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë, se ju në ditën e gjykimit. Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
Kush ju dëgjon ju, më dëgjon mua e kush nuk ju pranon ju, nuk më pranon as mua. Kush nuk më pranon mua, nuk pranon as atë që më ka dërguar».
Të shtatëdhjetë e dy dishepujt u kthyen me gëzim e i thanë: «Zot, edhe djajtë na nënshtrohen në emrin tënd!». Jezui u tha: «E pashë Satanin tek binte nga qielli si rrufe. Ja, ju kam dhënë pushtet të shkelni mbi gjarpërinj e akrepa, si edhe mbi tërë fuqinë e armikut. Asgjë nuk do t'ju bëjë keq. Megjithatë, mos u gëzoni që ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni që emrat tuaj janë shkruar në qiell».
Në atë çast Jezui u mbush me gëzim nga Shpirti i shenjtë e tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty.
Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë». Pastaj Jezui u kthye drejt dishepujve e u tha veçmas: «Lum sytë që shohin çfarë shihni ju! Sepse po ju them se shumë profetë e mbretër kanë dëshiruar të shohin çfarë po shihni ju e nuk i panë, të dëgjonin çfarë po dëgjoni ju e nuk i dëgjuan».