Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Levitiku 11

11
Kafshë të pastra e të papastra
1 Zoti i tha Moisiut e Aronit: 2«Thuajuni izraelitëve se, prej të gjitha kafshëve të tokës, këto janë kafshët që mund të hani: 3hani çdo kafshë dythundrake e ripërtypëse. 4Megjithatë, kafshët dythundrake ose ripërtypëse që nuk duhet të hani janë këto: deveja, se ripërtypet, por nuk e ka thundrën të ndarë, është e papastër për ju; 5vjedulla, se ripërtypet, por nuk e ka thundrën të ndarë, është e papastër për ju; 6lepuri, se ripërtypet, por nuk e ka thundrën të ndarë, është i papastër për ju; 7dhe derri, se e ka thundrën të ndarë, por nuk ripërtypet, është i papastër për ju. 8Nuk do ta hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni kërmat e tyre, se janë të papastra për ju.
9Nga të gjitha kafshët e detit mund të hani çdo gjë që ka pendë e luspa, qofshin kafshë liqeni, deti apo lumi. 10Mos hani asgjë që nuk ka pendë e luspa, qofshin kafshë deti apo lumi, zvarranikë uji apo çfarëdolloj kafshe tjetër që lëviz në ujë. Të jenë të neveritshme për ju. 11Këto kafshë do të jenë të neveritshme për ju. Mishin e tyre mos e hani dhe kërmat e tyre të jenë të neveritshme. 12Çdo kafshë uji që nuk ka pendë e luspa të jetë e neveritshme për ju.
13Këta janë shpendët që do të jenë të neveritshëm për ju e që nuk do t'i hani, ngaqë janë të neveritshëm: shqiponja, huta, fajkoi, 14qifti, çdo lloj skifteri, 15çdo lloj korbi, 16struci, kukuvajka, pulëbardha, çdo lloj fajkoi, 17bufi, zhytra, ibisi, 18mjellma, pelikani, fajkoi i detit, 19lejleku, çdo lloj çafke, pupëza e lakuriqi i natës.
20Çdo lloj insekti me krahë, që ecën mbi katër këmbë, të jetë i neveritshëm për ju. 21Nga të gjitha insektet mund të hani çdo lloj insekti me krahë që ecën mbi katër këmbë dhe këmbët e pasme i ka me nyje për të kërcyer mbi tokë. 22Nga këto mund të hani çdo lloj kandrre, çdo lloj bulkthi dhe çdo lloj karkaleci. 23Çdo lloj tjetër insekti me krahë që ecën mbi katër këmbë të jetë i neveritshëm për ju.
24Të gjitha këto ju bëjnë të papastër. Kush prek kërmat e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 25Kush mbart kërmën e tyre duhet të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 26Çdo kafshë thundrake, por që nuk e ka thundrën të ndarë e që nuk ripërtypet, është e papastër për ju. Kush e prek bëhet i papastër. 27Të gjitha kafshët katërkëmbëshe që ecin mbi putra janë të papastra për ju. Kush prek kërmën e tyre do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 28Kush mbart kërmën e tyre duhet të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Këto janë të papastra për ju.
29Nga kafshët që zvarriten mbi tokë, këto janë të papastra për ju: bukla, miu, çdo lloj hardhuce, 30hardhja, varani, hardhuca e murit, urithi e kameleoni. 31Nga zvarranikët e tokës, këto kafshë janë të papastra për ju. Kush i prek pasi të kenë ngordhur do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 32Çdo gjë mbi të cilën bie kërma e tyre bëhet e papastër, çdo enë druri, rrobë, lëkurë apo thes, çfarëdolloj sendi i përdorur për punë. Lajini me ujë, por janë të papastra deri në mbrëmje. Mandej do të jenë të pastra. 33Çdo enë balte, në të cilën bie ndonjë prej tyre, të thyhet, sepse është e papastër me gjithçka mban. 34Nëse ndonjë ushqimi i bie ujë prej asaj ene, ushqimi bëhet i papastër dhe çfarëdolloj pije që pihet nga një enë e tillë është e papastër. 35Çdo gjë mbi të cilën bie kërma e tyre, bëhet e papastër, qoftë furrë apo vatër. Le të prishen, sepse janë të papastra. Çmojini ato si të papastra. 36Burimet e sternat e ujit mbeten të pastra, por kush prek një kërmë aty, bëhet i papastër. 37Nëse kërma e tyre bie mbi çdo lloj fare drithi, që është për mbjellje, fara mbetet e pastër. 38Por nëse fara është lagur me ujë dhe bie mbi të ndonjë kërmë, ajo bëhet e papastër për ju.
39Nëse ngordh ndonjë nga kafshët që mund të hani, kush prek kërmën e saj do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 40Kush ha prej kërmës së saj, të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje. Po ashtu, kush mbart kërmën e saj, të lajë rrobat, por do të jetë i papastër deri në mbrëmje.
41Çdo lloj zvarraniku që zvarritet mbi tokë është i neveritshëm dhe nuk duhet të hahet. 42Mos hani asnjë kafshë që zvarritet mbi barkun e vet dhe asnjë zvarranik me katër apo më shumë këmbë, se janë të papastra. 43Mos e ndotni veten me zvarranikë e mos u bëni të papastër prej tyre. 44Unë jam Zoti, Perëndia juaj. Shenjtërohuni e bëhuni të shenjtë, se edhe unë jam i shenjtë. Mos u përdhosni prej zvarranikëve që zvarriten mbi tokë. 45Unë jam Zoti që ju nxora prej dheut të Egjiptit, që të bëhesha Perëndia juaj. Jini të shenjtë, se edhe unë jam i shenjtë».
46Ky është udhëzimi për kafshët, për shpendët, për gjallesat e ujit dhe për çdo qenie që zvarritet mbi tokë. 47Bëni dallim mes të pastrës e të papastrës, që të dini cilën kafshë të hani e cilën të mos hani.

Aktualisht i përzgjedhur:

Levitiku 11: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë