Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 18:1-10

Jozuehu 18:1-10 AL1

E gjithë bashkësia e izraelitëve u mblodh në Shiloh e aty ngritën tendën e takimit. Tashmë izraelitët e kishin pushtuar të gjithë vendin, por shtatë nga fiset e izraelitëve kishin mbetur ende pa e marrë trashëgiminë. Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Deri kur do të rrini duarkryq pa e marrë tokën që ju ka dhënë ZOTI, Perëndia i etërve tuaj? Zgjidhni nga tre burra për fis, që t'i dërgoj për të përshkuar vendin e për të përshkruar pjesën e tyre të trashëgimisë. Kur të kthehen, të paraqiten tek unë. Tokën ta ndajnë mes tyre në shtatë pjesë. Fisi i Judës i ka tokat e veta në jug, ndërsa fiset e Jozefit i kanë më në veri. Ndarjen e tokës në shtatë pjesë shkruajeni me hollësi dhe pjesët e shkruara m'i sillni mua, që të hedh shortin në prani të ZOTIT, Perëndisë tonë. Levitët nuk do të kenë pjesë me ju, sepse priftëria e ZOTIT është trashëgimia e tyre. Gadi, Rubeni e gjysma e fisit të Manaseut e kanë marrë pronën në anën tjetër të Jordanit, në bregun lindor të tij. Ua dha vetë Moisiu, shërbëtori i ZOTIT». Kur burrat po niseshin për të bërë përshkrimin e tokës, Jozuehu u tha: «Shkoni e bëjeni mirë përshkrimin e tokës. Kur të ktheheni, pjesët e shkruara m'i sillni mua këtu në Shiloh, që të hedh shortin në prani të ZOTIT». Burrat u nisën dhe e përshkuan mbarë tokën. Ndarjen në shtatë pjesë e shkruan me hollësi, qytet më qytet, e ia sollën Jozuehut në fushimin e Shilohut. Jozuehu hodhi shortin për ta në Shiloh, në prani të ZOTIT, e aty ua ndau tokën izraelitëve sipas pjesës që u ra.