Jozueu 18:1-10
Jozueu 18:1-10 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
E gjithë bashkësia e izraelitëve u mblodh në Shiloh e aty ngritën tendën e takimit. Tashmë izraelitët e kishin pushtuar të gjithë vendin, por shtatë nga fiset e izraelitëve kishin mbetur ende pa e marrë trashëgiminë. Atëherë Jozuehu i tha popullit: «Deri kur do të rrini duarkryq pa e marrë tokën që ju ka dhënë ZOTI, Perëndia i etërve tuaj? Zgjidhni nga tre burra për fis, që t'i dërgoj për të përshkuar vendin e për të përshkruar pjesën e tyre të trashëgimisë. Kur të kthehen, të paraqiten tek unë. Tokën ta ndajnë mes tyre në shtatë pjesë. Fisi i Judës i ka tokat e veta në jug, ndërsa fiset e Jozefit i kanë më në veri. Ndarjen e tokës në shtatë pjesë shkruajeni me hollësi dhe pjesët e shkruara m'i sillni mua, që të hedh shortin në prani të ZOTIT, Perëndisë tonë. Levitët nuk do të kenë pjesë me ju, sepse priftëria e ZOTIT është trashëgimia e tyre. Gadi, Rubeni e gjysma e fisit të Manaseut e kanë marrë pronën në anën tjetër të Jordanit, në bregun lindor të tij. Ua dha vetë Moisiu, shërbëtori i ZOTIT». Kur burrat po niseshin për të bërë përshkrimin e tokës, Jozuehu u tha: «Shkoni e bëjeni mirë përshkrimin e tokës. Kur të ktheheni, pjesët e shkruara m'i sillni mua këtu në Shiloh, që të hedh shortin në prani të ZOTIT». Burrat u nisën dhe e përshkuan mbarë tokën. Ndarjen në shtatë pjesë e shkruan me hollësi, qytet më qytet, e ia sollën Jozuehut në fushimin e Shilohut. Jozuehu hodhi shortin për ta në Shiloh, në prani të ZOTIT, e aty ua ndau tokën izraelitëve sipas pjesës që u ra.
Jozueu 18:1-10 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u mblodh në Shiloh, dhe aty ngritën çadrën e mbledhjes. Vendi u ishte nënshtruar atyre. Por kishte midis bijve të Izraelit shtatë fise, që nuk e kishin marrë akoma trashëgiminë e tyre. Kështu Jozueu u tha bijve të Izraelit: "Deri kur nuk do të kujdeseni të shkoni të merrni vendin që Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ju ka dhënë? Zgjidhni midis jush tre burra për çdo fis dhe unë do t'i nis. Ata do të ngrihen, do ta përshkojnë vendin, do të bëjnë përshkrimin e tij në bazë të pjesës së tyre të trashëgimisë dhe pastaj do të kthehen tek unë. Ata do ta ndanë në shtatë pjesë: Juda do të mbetet në territorin e tij në jug dhe shtëpia e Jozefit në territorin e tij në veri. Ju do të bëni, pra, përshkrimin e vendit në shtatë pjesë; do ta sillni tek unë dhe unë do të hedh shortin për ju këtu, para Zotit, Perëndisë tonë. Por levitët nuk duhet të kenë asnjë pjesë në mes tuaj, sepse priftëria e Zotit është trashëgimia e tyre; dhe Gadi, Rubeni dhe gjysma e fisit të Manasit kanë marrë trashëgiminë e tyre matanë Jordanit në lindje, që Moisiu, shërbëtori i Zotit, u ka dhënë atyre". Ata njerëz, pra, u ngritën dhe u nisën; dhe Jozueu i urdhëroi ata që niseshin për të përshkruar vendin, duke u thënë: "Shkoni, përshkoni vendin dhe bëni përshkrimin e tij; pastaj kthehuni tek unë, dhe këtu unë do të hedh shortin për ju para Zotit në Shiloh". Kështu ata njerëz u nisën, e përshkuan vendin dhe bënë në një libër përshkrimin e shtatë pjesëve të tij sipas qyteteve; pastaj u kthyen tek Jozueu në kampin e Shilohut. Atëherë Jozueu hodhi shortin për ta në Shiloh para Zotit dhe e ndau vendin midis bijve të Izraelit, sipas ndarjeve të tyre.