Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jozuehu 11:1-15

Jozuehu 11:1-15 AL1

Jabini, mbreti i Hacorit, dëgjoi për këto e i dërgoi fjalë Jobabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit, mbretit të Akshafit e të gjithë mbretërve që banonin në krahinat malore të veriut, në Arabah në jug të Kineretit, në ultësirat fushore e në lartësitë e Dorit në perëndim, kananitëve në lindje e në perëndim, amoritëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, në krahinën malore, e hivitëve, rrëzë malit të Hermon, në vendin e Micpahut. Atëherë ata dolën me gjithë ushtrinë e tyre, turmë e madhe luftëtarësh, sa rëra e bregut të detit, me kuaj e qerre me shumicë. Mbretërit u bënë bashkë e fushuan pranë ujërave të Meromit, për të sulmuar Izraelin. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se nesër si në këtë orë kam për të t'i dorëzuar të gjithë ty, që t'i shfarosësh në prani të Izraelit. Kuajve të tyre do t'u presësh leqet e këmbëve e qerret e tyre do t'i djegësh në zjarr». Jozuehu e të gjithë luftëtarët që ishin me të, mbërritën papritur në ujërat e Meromit e i sulmuan. ZOTI ia dorëzoi armiqtë izraelitëve. Izraelitët i sulmuan e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, deri në ujërat e Misrepotit dhe në luginën e Micpahut në lindje. I goditën derisa nuk mbeti gjallë asnjë. Jozuehu veproi me ta ashtu siç i kishte thënë ZOTI. Kuajve të tyre u preu leqet e këmbëve e qerret e tyre i dogji në zjarr. Në atë kohë, Jozuehu u kthye dhe pushtoi Hacorin. Mbretin e Hacorit e vrau me shpatë. Hacori kishte qenë dikur kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive. Izraelitët kaluan në teh të shpatës e shfarosën të gjithë banorët e tij. Në Hacor nuk mbeti gjallë askush e qyteti u dogj flakë. Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet e zuri robër të gjithë mbretërit. I kaloi të gjithë në teh të shpatës e i shfarosi, siç e kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i ZOTIT. Por qytetet e ndërtuara mbi kodrina nuk i dogji, përveç Hacorit, që e bëri shkrumb. Izraelitët morën për vete gjithë plaçkën e qytetit e bagëtitë, por njerëzit i kaluan të gjithë në teh të shpatës e i shfarosën, derisa nuk mbeti gjallë njeri. Moisiu i kishte urdhëruar Jozuehut çka i kishte urdhëruar ZOTI. Jozuehu bëri gjithçka i kishte urdhëruar ZOTI Moisiut.