Jozueu 11:1-15
Jozueu 11:1-15 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Jabini, mbreti i Hacorit, dëgjoi për këto e i dërgoi fjalë Jobabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit, mbretit të Akshafit e të gjithë mbretërve që banonin në krahinat malore të veriut, në Arabah në jug të Kineretit, në ultësirat fushore e në lartësitë e Dorit në perëndim, kananitëve në lindje e në perëndim, amoritëve, hititëve, perizitëve, jebusitëve, në krahinën malore, e hivitëve, rrëzë malit të Hermon, në vendin e Micpahut. Atëherë ata dolën me gjithë ushtrinë e tyre, turmë e madhe luftëtarësh, sa rëra e bregut të detit, me kuaj e qerre me shumicë. Mbretërit u bënë bashkë e fushuan pranë ujërave të Meromit, për të sulmuar Izraelin. Atëherë ZOTI i tha Jozuehut: «Mos ki frikë prej tyre, se nesër si në këtë orë kam për të t'i dorëzuar të gjithë ty, që t'i shfarosësh në prani të Izraelit. Kuajve të tyre do t'u presësh leqet e këmbëve e qerret e tyre do t'i djegësh në zjarr». Jozuehu e të gjithë luftëtarët që ishin me të, mbërritën papritur në ujërat e Meromit e i sulmuan. ZOTI ia dorëzoi armiqtë izraelitëve. Izraelitët i sulmuan e i ndoqën deri në Sidonin e Madh, deri në ujërat e Misrepotit dhe në luginën e Micpahut në lindje. I goditën derisa nuk mbeti gjallë asnjë. Jozuehu veproi me ta ashtu siç i kishte thënë ZOTI. Kuajve të tyre u preu leqet e këmbëve e qerret e tyre i dogji në zjarr. Në atë kohë, Jozuehu u kthye dhe pushtoi Hacorin. Mbretin e Hacorit e vrau me shpatë. Hacori kishte qenë dikur kryeqyteti i të gjitha këtyre mbretërive. Izraelitët kaluan në teh të shpatës e shfarosën të gjithë banorët e tij. Në Hacor nuk mbeti gjallë askush e qyteti u dogj flakë. Jozuehu i pushtoi të gjitha qytetet e zuri robër të gjithë mbretërit. I kaloi të gjithë në teh të shpatës e i shfarosi, siç e kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i ZOTIT. Por qytetet e ndërtuara mbi kodrina nuk i dogji, përveç Hacorit, që e bëri shkrumb. Izraelitët morën për vete gjithë plaçkën e qytetit e bagëtitë, por njerëzit i kaluan të gjithë në teh të shpatës e i shfarosën, derisa nuk mbeti gjallë njeri. Moisiu i kishte urdhëruar Jozuehut çka i kishte urdhëruar ZOTI. Jozuehu bëri gjithçka i kishte urdhëruar ZOTI Moisiut.
Jozueu 11:1-15 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Kur Jabini, mbret i Hatsorit, i mësoi këto ngjarje, u dërgoi lajmëtarë Johabit, mbretit të Madonit, mbretit të Shimronit dhe atij të Akshafit, mbretërve që ndodheshin në veri të zonës malore, në Arabah, në jug të Kinerethit, në ultësirën dhe mbi lartësitë e Dorit, në perëndim, kanaanenjve që ishin në lindje dhe në perëndim, amorenjve, hitenjve, perezenjve dhe jebusenjve në krahinën malore, hivenjve në këmbët e malit Hermon në vendin e Mitspahut. Kështu ata dolën, ata vetë me tërë ushtritë e tyre, një turmë shumë e madhe si rëra që është mbi bregun e detit dhe me kuaj e qerre në një numër shumë të madh. Kështu tërë këta mbretër u bashkuan dhe erdhën në afërsitë e ujërave të Meromit për të ngritur një kamp të përbashkët dhe për të luftuar kundër Izraelit. Por Zoti i tha Jozueut: "Mos u tremb nga ata, sepse nesër në këtë orë ke për t'i parë të gjithë të vrarë para Izraelit. Do të presësh leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe do të djegësh qerret e tyre". Jozueu, pra, dhe gjithë luftëtarët bashkë me të, marshuan papritmas kundër tyre afër ujërave të Meromit dhe i sulmuan; dhe Zoti i dha në duart e izraelitëve, të cilët i mundën dhe i ndoqën deri në Sidonin e madh, deri në ujërat e Misrefothit dhe në luginën e Mitspahut, në drejtim të lindjes; i mundën deri në atë pikë sa nuk lanë të gjallë asnjë prej tyre. Jozueu i trajtoi si i kishte thënë Zoti preu leqet e këmbëve të kuajve të tyre dhe ua dogji qerret. Në po atë periudhë Jozueu u kthye dhe pushtoi Hatsorin, vrau mbretin e tij me shpatë, sepse në të kaluarën Hatsori kishte qenë kryeqyteti i tërë këtyre mbretërive. Vrau me shpatë tërë njerëzit që gjendeshin aty, duke vendosur shfarosjen e tyre; pastaj i vuri flakën Hatsorit. Kështu Jozueu pushtoi tërë qytetet e këtyre mbretërive, zuri mbretërit e tyre dhe i vrau me shpatë, duke vendosur shfarosjen e tyre, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu, shërbëtori i Zotit. Por Izraeli nuk u vuri flakën asnjërit prej qyteteve që ngriheshin në kodrinat, me përjashtim të Hatsorit, i vetmi qytet që Jozueu dogji. Bijtë e Izraelit morën për vete tërë plaçkën e këtyre qyteteve dhe bagëtinë, por vranë tërë njerëzit dhe nuk lanë shpirt të gjallë. Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, shërbëtorin e tij, kështu Moisiu urdhëroi Jozueun, dhe ky nuk la pas dore asgjë nga tërë ato që Zoti i kishte urdhëruar Moisiut.