Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Gjoni 1:1-34

Gjoni 1:1-34 AL1

Në fillim ishte Fjala. Fjala ishte me Perëndinë. Fjala ishte Perëndi. Fjala ishte që në fillim me Perëndinë. Gjithçka u bë nëpërmjet tij dhe asgjë e krijuar nuk u bë pa të. Në të gjendej jeta dhe jeta ishte drita e njerëzve. Drita ndriçon në errësirë dhe errësira nuk e mundi dot. Perëndia dërgoi një njeri që quhej Gjon. Ai erdhi të jepte dëshmi për dritën, që të gjithë të besojnë nëpërmjet tij. Ai nuk ishte drita, por dëshmitar i dritës. Fjala ishte drita e vërtetë, e cila vjen në botë dhe ndriçon çdo njeri. Ai ishte në botë dhe bota u bë nëpërmjet tij, por bota nuk e njohu. Ai erdhi te të vetët, por të vetët nuk e pranuan. Atyre që e pranuan dhe besuan në emrin e tij, u dha të drejtën të bëhen bij të Perëndisë. Ata nuk lindën prej gjakut, as prej vullnetit njerëzor a prej dëshirës së burrit, por prej Perëndisë. Dhe Fjala u mishërua e banoi mes nesh. Ne e pamë lavdinë e tij, lavdi e Birit të vetëmlindur të Atit, plot hir e të vërtetë. Gjoni dëshmoi për të. Ai tha me zë të lartë: «Ky është ai për të cilin thashë: ai që vjen pas meje është më i madh se unë, sepse ishte para meje». Ne të gjithë morëm hir mbi hir prej plotësisë së tij. Ligji u dha përmes Moisiut, por hiri dhe e vërteta erdhën përmes Jezu Krishtit. Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Biri i vetëmlindur që është në gjirin e Atit, ai na e bëri të njohur. Kjo është dëshmia e Gjonit kur të parët e judenjve nga Jerusalemi i dërguan priftërinj e levitë që ta pyesnin: «Kush je ti?». Ai nuk ngurroi të përgjigjej, por rrëfeu: «Unë nuk jam Krishti». Ata e pyetën: «Atëherë, kush je ti? A mos je Elia?». Gjoni tha: «Jo, nuk jam». «A mos je profeti?». Ai u përgjigj: «Jo». Atëherë i thanë: «Kush je ti? Se duhet t'u japim një përgjigje atyre që na dërguan. Ç'thua për veten tënde?». Gjoni tha: «Unë jam zëri që thërret në shkretëtirë: bëni gati udhën për Zotin! ». Kështu kishte thënë edhe profeti Isai. Të dërguarit ishin nga farisenjtë. Ata e pyetën: «Nëse ti nuk je Krishti, as Elia e as profeti, atëherë, përse pagëzon?». Gjoni u përgjigj: «Unë pagëzoj me ujë, por mes jush qëndron ai që ju nuk e njihni. Ai vjen pas meje, por unë nuk jam i denjë as t'i zgjidh lidhëset e sandaleve». Të gjitha këto ndodhën në Betani, në anën tjetër të lumit Jordan, ku Gjoni po pagëzonte. Të nesërmen Gjoni pa Jezuin që po vinte drejt tij e tha: «Ja Qengji i Perëndisë që merr mbi vete mëkatin e botës! Ky është ai për të cilin ju thashë: “Pas meje vjen dikush që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje”. Unë nuk e njihja atë, prandaj erdha të pagëzoj me ujë që t'ia zbuloj Izraelit». Gjoni dëshmoi: «Pashë Shpirtin tek zbriste prej qiellit si pëllumb e që qëndroi mbi të. Unë nuk e njihja atë, por ai që më dërgoi të pagëzoj me ujë më tha: “Ai mbi të cilin do të shohësh Shpirtin duke zbritur e duke qëndruar mbi të, është ai që do të pagëzojë me Shpirtin e shenjtë”. Unë e kam parë dhe dëshmoj se ky është Biri i Perëndisë».

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë