Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Jeremia 23

23
Pinjolli i drejtë
1«Mjerë barinjtë që e rrënojnë dhe e shpërndajnë grigjën e kullotës sime, thotë Zoti. 2Prandaj, thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, kundër barinjve që kullotin popullin tim: ju i keni shpërndarë delet e mia, i keni dëbuar e nuk i keni përfillur. Ja, unë do t'ju ndëshkoj për ligësinë e veprave tuaja, kumton Zoti. 3Unë vetë do ta mbledh tepricën e grigjës sime prej të gjitha vendeve ku i pata dëbuar, do t'i kthej te kullotat e tyre dhe do të shtohen e do të shumohen. 4Do të vë mbi ta barinj që do të sillen si barinj e nuk do të kenë më frikë, nuk do të tmerrohen e nuk do të firojnë, thotë Zoti.
5Ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur do të lartësoj një pinjoll të drejtë për Davidin. Ai do të mbretërojë si mbret e do të veprojë me mençuri, do të vendosë të drejtën e drejtësinë mbi dhe. 6Gjatë ditëve të tij do të shpëtojë Juda dhe Izraeli do të banojë i sigurt. Ky është emri me të cilin do ta thërrasin: “Zoti është drejtësia jonë”.
7Prandaj, ja, po vijnë ditët, kumton Zoti, kur nuk do të thonë më: “Pasha Zotin, që e nxori popullin e Izraelit nga dheu i Egjiptit”, 8por: “Pasha Zotin që i nxori dhe i solli pasardhësit e shtëpisë së Izraelit nga dheu i veriut e nga të gjitha vendet ku i kishte dëbuar!”. Atëherë ata do të banojnë në dheun e vet».
Kundër profetëve të rremë
9Për profetët.
Zemra në kraharor po më thyhet,
më dridhen të gjitha kockat,
jam si i dehur,
si i dalldisur nga vera,
për shkak të Zotit
e për shkak të fjalëve të tij të shenjta.
10«Mbushur është toka me besëshkalë,
mban zi toka për shkak të mallkimit
e kullotat e shkretëtirës u thanë.
Hovi i tyre është i lig
e fuqia e tyre nuk është e drejtë.
11Edhe profeti, edhe prifti janë zvetënuar,
edhe në shtëpinë time gjeta ligësi, kumton Zoti.
12Prandaj, udha e tyre do të jetë
si dheu i rrëshqitshëm në errësirë,
do të shtyhen
e do të rrëzohen në të,
se do të sjell mbi ta zezonën
në vitin e ndëshkimit të tyre, kumton Zoti.
13Ndër profetët e Samarisë
pashë përçartje:
profetizonin në emër të Baalit
dhe e përhumbnin popullin tim, Izraelin.
14Por ndër profetët e Jerusalemit
pashë përçudnime:
shkelin kurorën e jetojnë në mashtrim,
ua stërvitin duart keqbërësve,
që të mos kthehet askush nga ligësia e vet.
Për mua janë të gjithë si Sodoma
e banorët e tyre si Gomorra».
15Prandaj, kështu thotë Zoti i ushtrive për profetët:
«Ja, do t'u jap të hanë pelin
e do t'u jap të pinë helm,
se prej profetëve të Jerusalemit
shthurja u përhap në mbarë vendin».
16Kështu thotë Zoti i ushtrive: «Mos i dëgjoni fjalët e këtyre profetëve që profetizojnë për ju duke ju gënjyer. Shpallin vegimet e mendjes së tyre që nuk vijnë prej gojës së Zotit». 17Atyre që e përçmojnë pareshtur fjalën e Zotit u thonë: «Do t'ju prijë e mbara». Të gjithë atyre që jetojnë me zemërngurtësi u thonë: «Nuk do t'ju zërë e keqja».
18Por, kush mori pjesë në këshillin e Zotit,
që ta shihte e ta dëgjonte fjalën e tij?
Kush e përfilli fjalën e tij dhe e dëgjoi?
19Ja stuhia e Zotit,
shpërtheu furia e tij,
stuhi vorbullore,
mbi kokën e të paudhëve do të shtillet.
20Zemërimi i Zotit nuk do të tërhiqet
deri kur t'i kryejë e t'i sosë synimet e zemrës së tij.
Kur të marrin fund ditët
do ta kuptoni e do t'ju mbushet mendja.
21«Nuk i dërgova unë ata profetë,
por u turrën vetë.
Nuk u fola unë,
por profetizuan vetë.
22Po të kishin marrë pjesë në këshillin tim,
do t'i shpallnin popullit tim fjalët e mia,
do t'i kthenin prej udhëve të tyre të liga
e prej veprave të tyre të liga».
23«A jam unë Perëndi i afërt e jo Perëndi i largët, kumton Zoti? 24Nëse dikush fshihet në një vend të fshehtë, a nuk e shoh unë, kumton Zoti? A nuk i mbush unë qiellin e tokën, kumton Zoti? 25Kam dëgjuar çfarë thonë profetët, që profetizojnë në rrenë në emrin tim, e thonë: “Pashë ëndërr, pashë ëndërr”. 26Deri kur do ta kenë për zemër profetët të profetizojnë në rrenë, profetët me zemër mashtruese? 27Ata mendojnë se populli im do ta harrojë emrin tim për shkak të ëndrrave të tyre, që ia tregojnë njëri-tjetrit, siç e harruan etërit e tyre emrin tim për shkak të Baalit. 28Profeti që ka parë ëndërr, ta tregojë ëndrrën e vet, por kush është me fjalën time, ta flasë fjalën me besnikëri. Ç'kanë të përbashkët byku me drithin, kumton Zoti? 29A nuk është fjala ime si zjarri, kumton Zoti, e si çekani që thërrmon shkëmbin? 30Prandaj, ja ku jam, kumton Zoti, kundër profetëve që i vjedhin njëri-tjetrit fjalët e mia. 31Ja ku jam, kumton Zoti, kundër profetëve që i japin gjuhës e kumtojnë kumte. 32Ja ku jam, kumton Zoti, kundër profetëve të ëndrrave të rreme që tregojnë dhe e përhumbin popullin tim me gënjeshtrat e me mburrjet e tyre. Unë nuk i kam dërguar e nuk i kam urdhëruar, prandaj nuk i vyejnë asgjë këtij populli, kumton Zoti.
33Kur të të pyesë ky popull, apo ndonjë profet, apo ndonjë prift: “Cila është barra e Zotit?”, ti përgjigju: “Ju jeni barra, e unë do t'ju flak”, kumton Zoti. 34Ndërsa profetin apo priftin, apo popullin, që do të thotë: “Barra e Zotit”, do ta ndëshkoj atë njeri bashkë me shtëpinë e tij. 35Kështu do t'i thotë secili të afërtit dhe vëllait të vet: “Si u përgjigj Zoti?”, apo: “Çfarë tha Zoti?”. 36Por, mos e përmendni më “barrën e Zotit”, sepse barrë do të jetë fjala e secilit. Ju e tjetërsoni fjalën e Perëndisë së gjallë, Zotit të ushtrive, Perëndisë sonë. 37Kështu thuaji profetit: “Çfarë përgjigje të dha Zoti? Çfarë tha Zoti?”. 38Por, nëse thoni: “Barra e Zotit”, kështu thotë Zoti: meqë i thatë këto fjalë: “Barra e Zotit”, pasi ju kisha bërë me dije se nuk duhej të thoshit: “Barra e Zotit”, 39prandaj, ja, do t'ju ngre e do t'ju flak nga prania ime ju dhe qytetin që u kisha dhënë etërve tuaj. 40Do t'ju mbuloj me tallje të përhershme, me turp të përhershëm, që nuk do të harrohet kurrë».

Aktualisht i përzgjedhur:

Jeremia 23: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë