Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 7

7
Qortim për mbretin Ahaz
1Në ditët e Ahazit, birit të Jotamit, të birit të Uziahut, mbretit të Judës, Recini, mbreti i Aramit, dhe Pekahu, biri i Remaliahut, mbretit të Izraelit, shkuan për të sulmuar Jerusalemin, por nuk mundën ta pushtonin. 2I dërguan lajm shtëpisë së Davidit e i thanë: «Arami ka ngritur fushimin në Efraim». Ahazit e mbarë popullit iu drodh zemra, ashtu siç dridhen pemët e pyllit prej erës. 3Atëherë Zoti i tha Isaisë: «Nisu bashkë me birin tënd Shear Jashubin për të takuar Ahazin. Dili përpara te cepi i ujësjellësit të depos së sipërme, udhës për në Arën e Rrobalarësit, 4e thuaji: bëj kujdes e rri i qetë! Mos ki frikë e mos të të tutet zemra nga flaka e zemërimit të Recinit të Aramit dhe birit të Remaliahut, këtyre dy cungjeve që digjen e lëshojnë tym. 5Arami, Efraimi e biri i Remaliahut kanë shestuar të këqija kundër teje e kanë thënë: 6“Ta sulmojmë Judën e t'i fusim tmerrin, ta pushtojmë e t'i vëmë për mbret birin e Tabealit”. 7Kështu thotë Zoti Perëndi: “S'ka për të ngjarë e s'ka për të ndodhur ashtu! 8Kryeqyteti i Aramit është Damasku, sunduesi i Damaskut është Recini. Edhe gjashtëdhjetë e pesë vjet e Efraimi nuk do të jetë më popull. 9Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe sunduesi i Samarisë është biri i Remaliahut. Nëse nuk do të keni besim, nuk do të qëndroni”».
Lindja e Emanuelit
10 Zoti i foli përsëri Ahazit e i tha: 11«Kërko një shenjë prej Zotit, Perëndisë tënd, në thellësitë e skëterrës ose në lartësitë e qiellit». 12Ahazi iu përgjigj: «Nuk do të kërkoj asgjë e nuk do ta vë në provë Zotin». 13Atëherë Isaia i tha: «Dëgjo, pra, o shtëpi e Davidit! Pak ju duket të mundoni njerëzit, që doni të mundoni edhe Perëndinë tim? 14Prandaj vetë Zoti do t'ju japë një shenjë: ja, vashëza#7.14 ose: virgjëresha do të mbetet shtatzënë, do të lindë një djalë e do ta quajë Emanuel. 15Do të ushqehet me ajkë e me mjaltë, derisa të mësojë të hedhë poshtë të keqen e të zgjedhë të mirën. 16Por para se djali të arrijë të mësojë të hedhë poshtë të keqen e të zgjedhë të mirën, vendi, dy mbretërit e të cilit ti i ke frikë, do të mbetet i shkretë. 17Zoti do të sjellë mbi ty, mbi popullin tënd e mbi shtëpinë e atit tënd, ditë që nuk janë parë që kur Efraimi u nda nga Juda. Ai do të sjellë mbretin e Asirisë».
18Ja se ç'do të ndodhë atë ditë:
Zoti do t'u fishkëllejë mizave
që gjenden në brigjet e lumenjve të Egjiptit,
si edhe bletëve prej trojeve të Asirisë.
19Do të vijnë e nëpër lugina plot rrëpira do të ngulen,
nëpër të çara shkëmbinjsh, nëpër ferrishte,
nëpër të gjitha kullotat me ujë.
20Atë ditë Zoti do të marrë briskun e do të rruajë,
do ta marrë hua prej përtej Eufratit,
e ky është mbreti i Asirisë.
Do të rruajë koka e këmbë,
mjekrat do t'i qethë krejt.
21Do të ndodhë që atë ditë njeriu
një mëshqerrë e dy dele gjallë do t'i mbajë.
22Nga begatia e qumështit,
me ajkë qumështi do të ushqehet.
Me ajkë e me mjaltë do të ushqehen
tërë ata që në vend do të kenë mbetur.
23Atë ditë çdo tokë me një mijë hardhi,
me vlerë një mijë monedha argjendi,
do të shkretohet nga ferrat e shkurret.
24Do të hyjnë në të me shigjeta e harqe,
se tërë vendi do të mbulohet me ferra e shkurre.
25Të gjitha kodrat, që dikur prashiteshin,
s'do të përshkohen dot prej ferrave e shkurreve.
Do të kthehen në rrah për gjedhët,
në një vend që e shkelin dhentë.

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 7: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë