Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Isaia 44

44
Bekime për Izraelin
1E tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im,
dhe ti, o Izrael, i zgjedhuri im.
2Kështu thotë Zoti, që të krijoi,
që të dha trajtë që në ngjizje, ndihmëtari yt:
mos ki frikë, o shërbëtori im Jakob,
o Jeshurun, i zgjedhuri im.
3Se do të dikoj ujëra mbi tokë të etur,
përrenj në tokë të thatë,
shpirtin tim do të dikoj mbi farën tënde,
bekimin tim mbi pasardhësit e tu.
4Do të rriten ata mes barit,
si shelgjet pranë rrjedhave të ujit.
5Njëri do të thotë: «I Zotit jam unë»,
tjetri do të mbajë emrin e Jakobit.
Një tjetër do të shkruajë me dorën e vet: «I Zotit jam»
dhe emrin e Izraelit do të mbajë.
6Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit,
shpenguesi i tij, Zoti i ushtrive:
unë jam i pari dhe unë jam i fundit,
Perëndi tjetër veç meje s'ka!
7Kush është si unë? Le ta thotë fort!
Le ta shpallë e të ma parashtrojë!
Siç i parathashë gjëra të së ardhmes një populli të lashtë,
le t'u parathotë edhe ai gjëra që do të ndodhin.
8Mos u trembni, mos kini frikë!
A nuk jua shpalla e s'jua thashë që më parë?
Ju jeni dëshmitarët e mi!
A ka Perëndi tjetër veç meje?
Tjetër Shkëmb nuk ka
e unë nuk njoh askënd.
Marria e idhujtarisë
9Punuesit e idhujve janë të gjithë një hiç,
veprat e tyre të çmuara s'vlejnë asgjë,
dëshmitarët e tyre as shohin, as marrin vesh,
e kështu do të turpërohen.
10Kush punoi ndonjë hyjni
apo shkriu ndonjë idhull,
pa kërkuar përfitim?
11Ja, të gjithë ndjekësit e tyre do të mbeten të turpëruar,
se punuesit e tyre s'janë veçse njerëz,
le të mblidhen të gjithë bashkë e të dalin para,
do të dridhen të gjithë e do të turpërohen.
12Farkëtari e punon hekurin me darë në zjarr,
trajtën ia jep me çekiçë,
e rreh me krahun e tij të fuqishëm.
E merr mandej uria dhe e lënë fuqitë,
ujë nuk pi dhe lodhet e këputet.
13Gdhendësi e shtrin fijen për të matur drurin,
dhe i vë shenjat me laps,
e punon drurin me daltë,
me rrethor ia shënon anët.
I jep mandej trajtë njeriu,
një pamje të bukur njeriu,
për ta vënë në një tempull.
14Pret për vete disa cedra,
merr qiparis e dru lisi,
shkon e zgjedh dru në pyll,
mbjell cedër dhe shiu e rrit.
15Ato i janë dhënë njeriut për t'i djegur,
merr njeriu ndonjë prej tyre e ngrohet,
ndez zjarrin e pjek bukën.
Por bën edhe ndonjë hyjni e përkulet para saj,
bën ndonjë idhull e bie përmbys para tij.
16Me gjysmën e druve ndez zjarrin,
me gjysmën tjetër pjek mishin e ha,
e pjek mirë mishin e kënaqet.
Ngrohet mirë e thotë: «Sa mirë po ngrohem!
Po kënaqem me zjarrin».
17Me ç'i ngel bën edhe ndonjë hyjni,
që ta ketë si idhull.
Përkulet para tij dhe e adhuron,
i lutet e i thotë:
«Shpëtomë, se ti je perëndia im».
18As dinë e as kuptojnë,
sytë u janë verbuar, që të mos shohin
e zemra e tyre të mos kuptojë.
19Askush nuk i thërret mendjes,
as dinë e as kuptojnë, që të thonë:
«Gjysmën e drurit e dogja në zjarr.
Poqa bukën mbi prush,
poqa mishin dhe e hëngra,
e me gjysmën tjetër bëra këtë fëlliqësi.
Para punës së drurit do të përkulem vallë?».
20Ushqehet me hi,
e shmang nga udha zemra e tij e mashtruar,
nuk di të çlirohet e të thotë:
«A nuk është vallë gjë e rreme
kjo që mbaj në të djathtën time?».
Çlirimi i Zotit
21Kujtoji këto, o Jakob,
edhe ti, o Izrael, se je shërbëtori im!
Unë të dhashë trajtë, shërbëtori im je ti,
nuk do të të harroj, o Izrael.
22I fshiva shkeljet e tua si retë e zeza,
mëkatet e tua porsi mjegullën,
kthehu tek unë, sepse unë të shpengova.
23Ngazëlloni, o qiej, se veproi Zoti,
gëzohuni, o thellësi të tokës,
merrjani këngës së lavdërimit, o male,
edhe ju, o pyje e çdo pemë e tyre,
se Zoti e shpengoi Jakobin
e në Izrael shfaqi lavdinë.
24Kështu thotë Zoti, shpenguesi yt,
ai që të dha trajtë që në bark të nënës:
unë jam Zoti, ai që krijoi gjithçka,
që i vetëm i ndehu qiejt,
e tokën rrafsh e shtriu!
Kush, pra, qe me mua?
25Unë i bëj të kota parashikimet e shortarëve,
magjistarët i bëj të marrë,
njerëzit e urtë i bëj të sprapsen,
dijen e tyre e kthej në marrëzi.
26Unë e përforcoj fjalën e shërbëtorit tim,
shestimet e të dërguarve të mi i përmbush,
Unë i them Jerusalemit se do të ketë banorë,
qyteteve të Judës se do të rindërtohen
e rrënojat e saj do të ringrihen.
27Unë i them humnerës së detit: «Thahu,
lumenjtë e tu kam për t'i shterur».
28Unë them për Kirin: «Ai është bariu im,
gjithçka që unë dua do ta çojë ai në vend».
Unë i them Jerusalemit: «Ndërtohu!»,
i them tempullit: «Ngriji sërish themelet!».

Aktualisht i përzgjedhur:

Isaia 44: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë