Se unë jam ZOTI, Perëndia yt,
unë të marr për dore e të them:
«Mos ki frikë, unë jam ndihma jote.
Mos u tremb, o krimb i Jakobit, o burra të Izraelit,
se unë jam ndihma juaj»,
kumton ZOTI, shpëtimtari yt,
i shenjti i Izraelit.
Ja tek po të bëj shirëse të mprehtë,
të re e me dhëmbëza të mprehta.
Do t'i shish malet e do t'i copëtosh,
kodrat do t'i kthesh në byk.
Do t'i hedhësh lart e do t'i marrë era,
stuhia do t'i shpërndajë.
E ti do të gëzosh në ZOTIN,
me të shenjtin e Izraelit do të lavdërohesh.
Skamnorët e nevojtarët kërkojnë ujë, por ujë nuk ka,
nga etja gjuha e tyre thahet.
Unë, ZOTI, do t'u gjendem,
unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis.
Lumenj do të shpërthej prej kodrave të zhveshura,
burime ujërash në mes të luginave,
shkretëtirën do ta bëj pellg ujërash,
tokën e thatë gurrë përrenjsh.
Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin,
akacien, mërsinën e ullirin,
në shkretëtirë qiparisin do ta vë,
bashkë me vidhin e me bredhin.
Kështu, do të shohin e do ta dinë,
do ta kuptojnë e do ta marrin vesh tok,
se këtë e bëri dora e ZOTIT,
këtë e krijoi i shenjti i Izraelit.