Isaia 41:13-20

Se unë jam ZOTI, Perëndia yt, unë të marr për dore e të them: «Mos ki frikë, unë jam ndihma jote. Mos u tremb, o krimb i Jakobit, o burra të Izraelit, se unë jam ndihma juaj», kumton ZOTI, shpëtimtari yt, i shenjti i Izraelit. Ja tek po të bëj shirëse të mprehtë, të re e me dhëmbëza të mprehta. Do t'i shish malet e do t'i copëtosh, kodrat do t'i kthesh në byk. Do t'i hedhësh lart e do t'i marrë era, stuhia do t'i shpërndajë. E ti do të gëzosh në ZOTIN, me të shenjtin e Izraelit do të lavdërohesh. Skamnorët e nevojtarët kërkojnë ujë, por ujë nuk ka, nga etja gjuha e tyre thahet. Unë, ZOTI, do t'u gjendem, unë, Perëndia i Izraelit, nuk do t'i braktis. Lumenj do të shpërthej prej kodrave të zhveshura, burime ujërash në mes të luginave, shkretëtirën do ta bëj pellg ujërash, tokën e thatë gurrë përrenjsh. Në shkretëtirë do ta mbjell cedrin, akacien, mërsinën e ullirin, në shkretëtirë qiparisin do ta vë, bashkë me vidhin e me bredhin. Kështu, do të shohin e do ta dinë, do ta kuptojnë e do ta marrin vesh tok, se këtë e bëri dora e ZOTIT, këtë e krijoi i shenjti i Izraelit.
Isaia 41:13-20