Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 20:1-16

Dalja 20:1-16 AL1

Perëndia tha këto fjalë: «Unë, ZOTI, jam Perëndia yt, ai që të nxori nga toka e Egjiptit, nga vendi i skllavërisë. Mos ki Perëndi tjetër, përveç meje. Mos bëj idhull për veten tënde e asgjë të ngjashme me gjërat që janë lart në qiell, poshtë në tokë apo në ujërat e nëndheshme. Mos i adhuro, as mos u shërbe, sepse unë ZOTI, Perëndia yt, jam Perëndi xheloz që ndëshkon paudhësinë e etërve deri në brezninë e tretë e të katërt të bijve të atyre që më urrejnë. Por, jam i mëshirshëm me mijëra që më duan e që zbatojnë ligjin tim. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e ZOTIT, Perëndisë tënd, sepse ai nuk do të lërë pa ndëshkuar këdo që e merr nëpër gojë kot emrin e tij. Kujtoje ditën e shtunë dhe shenjtëroje. Gjashtë ditë do të punosh e do të bësh gjithë punët e tua, por dita e shtatë është e shtuna e ZOTIT, Perëndisë tënd. Mos bëj gjë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote e as i huaji që rri me ty. Sepse në gjashtë ditë ZOTI bëri qiellin, tokën, detin dhe gjithçka është në to. Ditën e shtatë ai pushoi, prandaj edhe ZOTI e bekoi dhe e shenjtëroi ditën e shtunë. Ndero atin tënd e nënën tënde, që të kesh jetë të gjatë në tokën që po të jep ZOTI, Perëndia yt. Mos vrit. Mos bëj tradhti bashkëshortore. Mos vidh. Mos bëj dëshmi të rreme kundër të afërtit tënd.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë