Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Dalja 2

2
Lindja e Moisiut
1Një burrë prej shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një nga fisi i vet. 2Ajo mbeti shtatzënë dhe lindi djalë. Kur pa sa i mirë ishte, e fshehu foshnjën për tre muaj. 3Por, ngaqë nuk e mbante dot më fshehur, mori një shportë xunkthi, e leu me bitum e katran dhe vuri foshnjën në të. Pastaj e vendosi shportën mes kallamishteve buzë lumit Nil. 4E motra e foshnjës qëndroi pak më larg që të shihte se çfarë do t'i ndodhte.
5Atëherë bija e faraonit erdhi për t'u larë në lumë kur shërbëtoret e saj po shëtisnin buzë lumit. Pa shportën mes kallamishteve dhe dërgoi shërbëtoren që ta merrte. 6Kur hapi shportën, pa djalin. Dhe ja, djali po qante. Iu dhimbs e tha: «Qenka foshnjë hebreje!». 7Atëherë motra e foshnjës i tha bijës së faraonit: «A të shkoj e të thërras një mëndeshë hebreje që të ta ushqejë foshnjën?». 8Ajo iu përgjigj: «Shko!» dhe vajza shkoi e thirri të ëmën e foshnjës. 9Pastaj bija e faraonit i tha: «Merre këtë foshnjë e mënde dhe unë do të të paguaj!». Gruaja e mori foshnjën dhe e mëndi. 10Kur djali u rrit, ia solli bijës së faraonit. Ajo e birësoi dhe e quajti Moisi, sepse tha: «E nxora nga uji!».
Moisiu largohet nga Egjipti
11Moisiu u rrit. Një ditë ai shkoi te vëllezërit e vet dhe pa punën e rëndë që bënin. Aty pa një egjiptian që po rrihte një hebre, një nga vëllezërit e tij. 12Moisiu vështroi andej-këtej dhe, kur pa që s'kishte njeri, e vrau egjiptianin dhe ia fshehu trupin në rërë. 13Kur doli të nesërmen, pa dy hebrenj që po ziheshin. Atëherë i tha fajtorit: «Përse e rreh shokun tënd?». 14Ai i tha: «Kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? A ke ndër mend të më vrasësh sikurse vrave egjiptianin?». Moisiun e kapi frika e tha: «Me të vërtetë qenka marrë vesh se ç'bëra». 15Kur e mori vesh se ç'kishte bërë Moisiu, faraoni deshi ta vriste. Moisiu iku prej tij dhe banoi në tokën e Midianit. Aty u ul pranë një pusi.
16Prifti i Midianit kishte shtatë bija. Ato erdhën, nxorën ujë dhe mbushën koritë që t'u jepnin për të pirë dhenve të atit të tyre. 17Pastaj erdhën disa barinj dhe i dëbuan vajzat. Por Moisiu u ngrit, u erdhi në ndihmë vajzave e u dha ujë dhenve të tyre. 18Kur vajzat u kthyen tek i ati, Reueli, ai u tha: «Përse u kthyet kaq shpejt sot?». 19Ato i thanë: «Një egjiptian na shpëtoi prej barinjve, madje na nxori edhe ujë për dhentë». 20Ai u tha: «Po ai ku është? Përse e latë mbrapa? Thirreni që të hajë bukë!». 21Moisiut i pëlqeu të banojë me këtë njeri dhe ai i dha për grua bijën e tij, Seforën. 22Ajo lindi djalë dhe Moisiu e quajti Gershom, sepse tha: «Jam i ardhur në dhe të huaj!».
23Pas një kohe të gjatë vdiq mbreti i Egjiptit. Izraelitët ende rënkonin nën skllavëri dhe klithën për ndihmë. Klithma e tyre për shpëtim nga skllavëria arriti te Perëndia. 24Perëndia e dëgjoi rënkimin e tyre dhe u kujtua për besëlidhjen e tij me Abrahamin, me Isakun e me Jakobin. 25Perëndia i pa izraelitët dhe u kujdes për ta.

Aktualisht i përzgjedhur:

Dalja 2: AL1

Thekso

Ndaje

Copy

None

A doni që theksimet tuaja të jenë të ruajtura në të gjitha pajisjet që keni? Regjistrohu ose hyr

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë