Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që ZOTI ju ka dhënë për të ngrënë. Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”». Izraelitët mblodhën kush më shumë e kush më pak. Por, kur e peshuan, as ata që kishin mbledhur shumë nuk patën më tepër, as atyre që kishin mbledhur pak nuk u mungoi gjë. Secili kishte mbledhur aq sa i duhej për të ngrënë. Pastaj Moisiu u tha: «Askush të mos ruajë gjë për në mëngjes». Ata nuk e dëgjuan dhe disa e ruajtën deri në mëngjes. Të nesërmen, ushqimi u krimb e u qelb. Atëherë Moisiu u zemërua me ta. Kështu, secili mblidhte mëngjes për mëngjes aq sa i duhej për të ngrënë dhe, kur dielli shkëlqente fort, ajo shkrinte.
Ditën e gjashtë izraelitët mblodhën dyfishin e ushqimit, dy omerë për secilin. Kur prijësit e bashkësisë erdhën dhe i treguan Moisiut, ai u tha: «Ja çfarë thotë ZOTI: “Nesër është ditë pushimi. Është e shtuna e shenjtë në nder të ZOTIT. Çfarë keni për të pjekur e për të zier bëjeni që tani dhe gjithçka që ju tepron mbajeni e ruajeni për në mëngjes”». Kështu, ata e ruajtën deri në mëngjes, siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ushqimi as nuk u qelb e as nuk u krimb. Pastaj Moisiu u tha: «Hajeni sot sepse është e shtunë, ditë në nder të ZOTIT. Sot nuk do të gjeni ushqim në fushë. Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë, të shtunën, nuk do të ketë më».
Megjithatë, disa dolën për të mbledhur në ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Deri kur nuk do t'i zbatoni urdhërimet dhe ligjet e mia? Shikoni! ZOTI ju caktoi të shtunën si ditë pushimi, prandaj ditën e gjashtë ju dha dyfishin e ushqimit. Secili të rrijë ku është dhe askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë». Kështu, populli pushoi ditën e shtatë.
Populli i Izraelit e quajti ushqimin manë. Ajo ishte si fara e koriandrës, me ngjyrë të bardhë e me shije si kulaçi me mjaltë. Moisiu u tha: «Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Mbani një omer manë e ruajeni për breznitë e ardhshme që ata të shohin ushqimin me të cilin ju ushqeva në shkretëtirë kur ju nxora nga toka e Egjiptit”». Moisiu i tha Aronit: «Merr një enë, mbushe me një omer manë dhe vëre para ZOTIT, që të ruhet për breznitë e ardhshme».
Aroni e vendosi para dëshmisë që të ruhet siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun. Izraelitët hëngrën manë për dyzet vjet derisa arritën në tokë të banueshme, derisa arritën në kufijtë e tokës së Kanaanit. Një omer është rreth dy kilogramë.