Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Eksodi 16:13-36

Eksodi 16:13-36 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Kështu, në mbrëmje ia behën shkurtat dhe mbuluan fushimin e izraelitëve. Në mëngjes ra një shtresë vese përreth tyre. Kur vesa u zhduk, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një shtresë e hollë, e imët porsi bryma mbi tokë. Kur e panë, izraelitët pyetën njëri-tjetrin: «Ç'është kjo?», sepse nuk e dinin çfarë ishte. Atëherë Moisiu u tha: «Kjo është buka që ZOTI ju ka dhënë për të ngrënë. Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Secili të mbledhë aq sa i duhet për të ngrënë. Mblidhni rreth një omer për frymë, sipas numrit të anëtarëve që secili ka në tendën e vet”». Izraelitët mblodhën kush më shumë e kush më pak. Por, kur e peshuan, as ata që kishin mbledhur shumë nuk patën më tepër, as atyre që kishin mbledhur pak nuk u mungoi gjë. Secili kishte mbledhur aq sa i duhej për të ngrënë. Pastaj Moisiu u tha: «Askush të mos ruajë gjë për në mëngjes». Ata nuk e dëgjuan dhe disa e ruajtën deri në mëngjes. Të nesërmen, ushqimi u krimb e u qelb. Atëherë Moisiu u zemërua me ta. Kështu, secili mblidhte mëngjes për mëngjes aq sa i duhej për të ngrënë dhe, kur dielli shkëlqente fort, ajo shkrinte. Ditën e gjashtë izraelitët mblodhën dyfishin e ushqimit, dy omerë për secilin. Kur prijësit e bashkësisë erdhën dhe i treguan Moisiut, ai u tha: «Ja çfarë thotë ZOTI: “Nesër është ditë pushimi. Është e shtuna e shenjtë në nder të ZOTIT. Çfarë keni për të pjekur e për të zier bëjeni që tani dhe gjithçka që ju tepron mbajeni e ruajeni për në mëngjes”». Kështu, ata e ruajtën deri në mëngjes, siç i kishte urdhëruar Moisiu, dhe ushqimi as nuk u qelb e as nuk u krimb. Pastaj Moisiu u tha: «Hajeni sot sepse është e shtunë, ditë në nder të ZOTIT. Sot nuk do të gjeni ushqim në fushë. Për gjashtë ditë do ta mblidhni, por ditën e shtatë, të shtunën, nuk do të ketë më». Megjithatë, disa dolën për të mbledhur në ditën e shtatë, por nuk gjetën gjë. Atëherë ZOTI i tha Moisiut: «Deri kur nuk do t'i zbatoni urdhërimet dhe ligjet e mia? Shikoni! ZOTI ju caktoi të shtunën si ditë pushimi, prandaj ditën e gjashtë ju dha dyfishin e ushqimit. Secili të rrijë ku është dhe askush të mos dalë nga vendi i tij ditën e shtatë». Kështu, populli pushoi ditën e shtatë. Populli i Izraelit e quajti ushqimin manë. Ajo ishte si fara e koriandrës, me ngjyrë të bardhë e me shije si kulaçi me mjaltë. Moisiu u tha: «Ja çfarë urdhëron ZOTI: “Mbani një omer manë e ruajeni për breznitë e ardhshme që ata të shohin ushqimin me të cilin ju ushqeva në shkretëtirë kur ju nxora nga toka e Egjiptit”». Moisiu i tha Aronit: «Merr një enë, mbushe me një omer manë dhe vëre para ZOTIT, që të ruhet për breznitë e ardhshme». Aroni e vendosi para dëshmisë që të ruhet siç ZOTI e kishte urdhëruar Moisiun. Izraelitët hëngrën manë për dyzet vjet derisa arritën në tokë të banueshme, derisa arritën në kufijtë e tokës së Kanaanit. Një omer është rreth dy kilogramë.

Eksodi 16:13-36 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Dhe kështu, aty nga mbrëmja ndodhi që shkurtat u ngritën dhe mbuluan kampin; dhe në mëngjes kishte një shtresë vese rreth kampit. Pastaj shtresa e vesës u zhduk, dhe ja, mbi sipërfaqen e shkretëtirës u duk një gjë e hollë dhe e rrumbullakët, e hollë si bryma mbi tokë. Kur bijtë e Izraelit e panë, i thanë njëri-tjetrit: "Çfarë është?", sepse nuk e dinin se ç'ishte. Dhe Moisiu u tha atyre: "Kjo është buka që Zoti iu dha për të ngrënë. Ja çfarë ka urdhëruar Zoti: Secili të mbledhë aq sa i duhet për ushqimin e tij, një omer për frymë, sipas numrit të personave që jeni; secili nga ju të marrë për ata që janë në çadrën e tij". Bijtë e Izraelit vepruan kështu; disa prej tyre mblodhën më tepër dhe të tjerët më pak. E matën me omerin; dhe kush kishte mbledhur shumë nuk pati tepricë; dhe kush kishte mbledhur më pak nuk pati mangët. Gjithkush mblodhi sipas nevojës së tij për ushqim. Pastaj Moisiu u tha atyre: "Asnjeri të mos e lërë të teprojë për nesër në mëngjes". Por ata nuk iu bindën Moisiut dhe disa prej tyre lanë teprica edhe për të nesërmen; ajo u kalb duke prodhuar krimba dhe doli një erë e keqe; dhe Moisiu u zemërua me ta. Kështu e mblidhnin çdo mëngjes; secili sipas nevojës së tij për ushqim; por kur dielli bëhej i nxehtë, mana e mbledhur shkrihej. Kështu ditën e gjashtë mblodhën një racion të dyfishtë buke, dy omerë për secilin prej tyre. Dhe të gjithë krerët e asamblesë erdhën për t'ia referuar Moisiut. Atëherë ai u tha: "Kjo është ajo që ka thënë Zoti: Nesër është një ditë solemne pushimi, një e shtunë e shenjtë për Zotin; piqni sot atë që duhet të piqni dhe zieni atë që duhet të zieni; dhe çdo gjë që ju tepron, vëreni mënjanë dhe ruajeni deri nesër". Ata pra e ruajtën deri të nesërmen, ashtu si kishte urdhëruar Moisiu; dhe ushqimet e ruajtura nuk lëshuan erë të keqe dhe nuk prodhuan krimba. Moisiu tha: "Hajeni sot, se sot është e shtuna e shenjtë e Zotit; sot nuk do ta gjeni nëpër fushat. Mblidhni gjatë gjashtë ditëve; sepse ditën e shtatë nuk do ta gjeni më". Dhe ditën e shtatë ndodhi që disa njerëz nga populli dolën për ta mbledhur, por nuk e gjetën. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Deri kur do të kundërshtoni të zbatoni urdhërimet e mia dhe ligjet e mia? Mos harroni që Zoti ju ka dhënë të shtunën; për këtë arsye ditën e gjashtë ju jep bukë për dy ditë. Secili të qëndrojë në vendin e tij; asnjeri të mos dalë nga çadra e tij ditën e shtatë". Kështu populli pushoi ditën e shtatë. Dhe shtëpia e Izraelit e quajti Mana; ajo ishte e ngjashme me farën e koriandrit, e bardhë dhe me shijen e revanisë që bëhet me mjaltë. Pastaj Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ka urdhëruar: "Mbush me të një omer, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj, që ata të shohin bukën që ju bëra të hani në shkretëtirë, kur ju nxora nga vendi i Egjiptit"". Moisiu i tha pastaj Aaronit: "Merr një enë, vër brenda saj një omer të plotë mane dhe vendose para Zotit, me qëllim që të ruhet për pasardhësit tuaj". Ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun, Aaroni e vendosi para Dëshmisë, që të ruhej. Dhe bijtë e Izraelit hëngrën manën dyzet vjet, derisa arritën në një vend të banuar; hëngrën manën derisa arritën në kufirin e vendit të Kanaanit. Omeri është e dhjeta pjesë e efës.