Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat 11:19-30

Veprat 11:19-30 AL1

Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki. Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t'i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin. Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë. Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë