Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

Veprat e Apostujve 11:19-30

Veprat e Apostujve 11:19-30 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)

Ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi pas vdekjes së Stefanit, shkuan deri në Fenikë, në Qipro e Antioki, por ua shpallnin fjalën e Zotit vetëm judenjve e askujt tjetër. Mes tyre ishin edhe disa burra nga Qipro dhe Kirena, të cilët, rrugës për në Antioki, ua shpallën ungjillin, Zotin Jezu, edhe judenjve greqishtfolës. Dora e Zotit ishte me ta dhe një numër i madh besuan e u kthyen te Zoti. Lajmi për këtë gjë arriti në vesh të kishës në Jerusalem dhe ata dërguan Barnabën të shkonte deri në Antioki. Kur ai arriti atje dhe pa hirin e Perëndisë, u gëzua e i porositi të gjithë që t'i qëndronin besnikë Zotit, me gjithë zemër. Barnaba ishte njeri i mirë, i mbushur me Shpirtin e shenjtë e me besim. Kështu, një numër i madh njerëzish besoi në Zotin. Pastaj Barnaba shkoi në Tars për të kërkuar Saulin. Kur e gjeti, e solli në Antioki. Ata qëndruan aty një vit të tërë me kishën dhe mësuan shumë njerëz. Në Antioki dishepujt u quajtën të krishterë për herë të parë. Në ato ditë, në Antioki erdhën disa profetë nga Jerusalemi. Njëri prej tyre, që quhej Hagab, tregoi me anë të Shpirtit se do të binte një zi e madhe buke në tërë botën, gjë që ndodhi në kohën kur perandor ishte Klaudi. Atëherë dishepujt vendosën që secili prej tyre, sipas mundësive që kishte, të jepte diçka për të ndihmuar vëllezërit që ishin në Jude. Dhe ashtu bënë. Ndihmën ua dërguan pleqve të kishës me Barnabën e Saulin.

Veprat e Apostujve 11:19-30 Bibla Shqip 1994 (ALBB)

Ndërkaq ata që ishin shpërndarë për shkak të përndjekjes që nisi me Stefanin, arritën deri në Feniki, në Qipro dhe në Antioki, duke mos ia shpallur fjalën asnjë tjetri, përveç judenjve. Por disa prej tyre ishin burra qipriotë dhe kireneas, të cilët, kur erdhën në Antioki, u folën helenistëve, duke shpallur Zotin Jezus. Dhe dora e Zotit ishte me ta; dhe një numër i madh besoi dhe u kthye te Zoti. Lajmi i kësaj arriti në vesh të kishës që ishte në Jeruzalem; dhe ata dërguan Barnaban, që të shkonte deri në Antioki. Kur ai arriti, shikoi hirin e Perëndisë, u gëzua dhe i nxiti të gjithë t'i qëndrojnë besnikë Zotit, me dëshirën e zemrës, sepse ai ishte njeri i mirë, plot me Frymë të Shenjtë dhe besim. Dhe një numër i madh personash iu shtua Zotit. Pastaj Barnaba u nis për në Tars për të kërkuar Saulin dhe, si e gjeti, e çoi në Antioki. Dhe plot një vit ata u bashkuan me atë kishë dhe mësuan një numër të madh njerëzish; dhe, për të parën herë në Antioki, dishepujt u quajtën të Krishterë. Në ato ditë disa profetë zbritën nga Jeruzalemi në Antioki. Dhe një nga ata, me emër Agab, u ngrit dhe nëpërmjet Frymës parathoshte se do të ndodhte në mbarë botën një zi e madhe buke; dhe kjo ndodhi më vonë në kohën nën Klaud Cezarit. Atëherë dishepujt, secili sipas mundësive të tij, vendosën t'u çojnë një ndihmë vëllezërve që banonin në Jude. Dhe këtë ata e bënë, duke ua dërguar pleqve me anë të Barnabas dhe të Saulit.

YouVersion përdor cookie për të personalizuar përvojën tuaj. Duke përdorur faqen tonë të internetit, ju pranoni përdorimin tonë të cookies siç përshkruhet në Politikën tonë të Privatësisë