Logoja YouVersion
Ikona e kërkimit

2 Mbretërve 13:1-19

2 Mbretërve 13:1-19 AL1

Në vitin e njëzetetretë të mbretërimit të Joashit, birit të Ahazjahut, në Judë, Jehoahazi, biri i Jehut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Samari. Jehoahazi bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk hoqi dorë së bëri të njëjtat mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat. Kështu, zemërimi i ZOTIT u ndez kundër Izraelit dhe Zoti i dorëzoi për shumë kohë te Hazaeli, mbreti i Aramit, dhe te Hadadi, biri i Hazaelit. Por Jehoahazi iu përgjërua ZOTIT dhe ZOTI e dëgjoi, sepse e pa sesi mbreti i Aramit e shtypte Izraelin. Kështu, ZOTI i dërgoi Izraelit një çlirimtar. Populli i Izraelit shpëtoi nga zgjedha e Aramit dhe izraelitët banuan nëpër tendat e tyre si më parë. E megjithatë ata nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhduan të mëkatojnë. Edhe shtylla e Asherasë mbeti e paprekur në Samari. Jehoahazit nuk i kishin mbetur veçse pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë luftëtarë këmbësorie, sepse të tjerët i kishte vrarë mbreti i Aramit e i kishte shtypur si pluhurin nën këmbë. Bëmat e tjera të Jehoahazit, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jehoahazi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joashi. Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari. Joashi bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte. Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit. Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori. Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit. Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të ZOTIT! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje». Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë».