2 i Mbretërve 13:1-19
2 i Mbretërve 13:1-19 Bibla Shqip "Së bashku" 2020 (me DK) (AL1)
Në vitin e njëzetetretë të mbretërimit të Joashit, birit të Ahazjahut, në Judë, Jehoahazi, biri i Jehut, u bë mbret i Izraelit. Ai mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Samari. Jehoahazi bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk hoqi dorë së bëri të njëjtat mëkate si Jeroboami, biri i Nebatit, i cili shtyu edhe Izraelin në mëkat. Kështu, zemërimi i ZOTIT u ndez kundër Izraelit dhe Zoti i dorëzoi për shumë kohë te Hazaeli, mbreti i Aramit, dhe te Hadadi, biri i Hazaelit. Por Jehoahazi iu përgjërua ZOTIT dhe ZOTI e dëgjoi, sepse e pa sesi mbreti i Aramit e shtypte Izraelin. Kështu, ZOTI i dërgoi Izraelit një çlirimtar. Populli i Izraelit shpëtoi nga zgjedha e Aramit dhe izraelitët banuan nëpër tendat e tyre si më parë. E megjithatë ata nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhduan të mëkatojnë. Edhe shtylla e Asherasë mbeti e paprekur në Samari. Jehoahazit nuk i kishin mbetur veçse pesëdhjetë kalorës, dhjetë karroca lufte dhe dhjetë mijë luftëtarë këmbësorie, sepse të tjerët i kishte vrarë mbreti i Aramit e i kishte shtypur si pluhurin nën këmbë. Bëmat e tjera të Jehoahazit, të gjitha veprat dhe trimëritë e tij janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Jehoahazi u preh me etërit e tij dhe e varrosën në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joashi. Në vitin e tridhjetë e shtatë të mbretërimit të Joashit në Judë, Jehoashi, biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit. Ai sundoi për gjashtëmbëdhjetë vjet në Samari. Joashi bëri çka është keq në sytë e ZOTIT dhe nuk u shmang nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, i cili shtyu Izraelin në mëkat, por vazhdoi të mëkatonte. Bëmat e tjera të Joashit, veprat, trimëritë dhe luftrat që bëri me Amacjahun, mbretin e Judës, janë të shkruara në librin e Kronikave të Mbretërve të Izraelit. Joashi u preh me etërit e tij dhe në fronin e tij u ul Jeroboami. Joashin e varrosën në Samari, bashkë me mbretërit e Izraelit. Kur Eliseun e kapi sëmundja, prej së cilës edhe vdiq, shkoi për ta parë Joashi, mbreti i Izraelit. Ai qau para Eliseut e tha: «Ati im, o ati im, karroca dhe kalorësia e Izraelit!». Eliseu i tha: «Merr harkun dhe shigjetat». Mbreti i mori. Eliseu i tha: «Ndehe harkun!». Mbreti vuri duart mbi hark dhe Eliseu i vuri duart mbi duart e mbretit. Pastaj Eliseu i tha: «Hap dritaren nga lindja». Mbreti e hapi. Eliseu i tha: «Gjuaj!». Mbreti gjuajti dhe Eliseu tha: «Shigjeta e ngadhënjimit të ZOTIT! Shigjetë ngadhënjimi kundër Aramit! Do ta mposhtësh Aramin në Afek deri në shfarosje». Mandej i tha: «Merri shigjetat». Mbreti i Izraelit i mori dhe Eliseu i tha: «Rrihe tokën me shigjetat». Mbreti e rrahu tokën tri herë e pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të e i tha: «Duhet ta kishe rrahur pesë a gjashtë herë tokën, sepse atëherë do ta mposhtje Aramin deri në shfarosje, por tani do ta mposhtësh vetëm tri herë».
2 i Mbretërve 13:1-19 Bibla Shqip 1994 (ALBB)
Në vitin e njëzetetretë të Joasit, birit të Ashaziahut, mbret i Judës, Jehohazi, bir i Jehut, filloi të mbretërojë mbi Izrael në Samari, dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vijoi mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilët e kishte bërë Izraelin të kryente mëkate, dhe nuk u largua nga kjo rrugë. Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Izraelit dhe i dorëzoi në duart e Hazaelit, mbretit të Sirisë, dhe në duart e Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, për tërë atë kohë. Por Jehohazi iu lut Zotit dhe Zoti e kënaqi, sepse pa shtypjen e Izraelit dhe se si mbreti i Sirisë i shtypte. Prandaj Zoti i dha një çlirues Izraelit, dhe kështu banorët e tij mundën t'i shpëtojnë pushtetit të sirëve; kështu bijtë e Izraelit mundën të banojnë në çadrat e tyre si në të kaluarën. Megjithatë nuk u larguan nga mëkatet e shtëpisë së Jeroboamit me të cilat e kishin bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhduan në këtë rrugë; bile edhe Asherahu mbeti më këmbë në Samari. Nga të gjitha trupat e Jehoahazit Zoti la vetëm pesëdhjetë kalorës, dhjetë qerre dhe dhjetë mijë këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë i kishte shkatërruar dhe katandisur në pluhur për t'u shkelur. Pjesa tjetër e bëmave të Jehoahazit, tërë atë që bëri dhe tërë trimëritë e tij a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit. Kështu Jehoahazin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në Samari. Në vend të tij mbretëroi i biri, Joasi. Në vitin e tridhjetë e shtatë të Joasit, mbretit të Judës, bir i Jehoahazit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe nuk u largua nga mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte bërë të kryente mëkate Izraelin, por vazhdoi në këtë rrugë. Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, tërë atë që bëri dhe trimëria me të cilën luftoi kundër Amatsiahut, mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit? Kështu Joasin e zuri gjumi me etërit e tij dhe Jeroboami u ul mbi fronin e tij. Pastaj Joasi u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Eliseu u sëmur nga ajo sëmundje prej së cilës duhet të vdiste; prandaj Joasi, mbret i Izraelit, erdhi ta shohë dhe qau mbi të, duke thënë: "O ati im, o ati im, qerrja e Izraelit dhe kalorësia e tij!". Atëherë Eliseu i tha: "Merr një hark dhe disa shigjeta", ai mori një hark dhe disa shigjeta. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rroke harkun"; ai e rroku dhe Eliseu vuri duart e tij mbi duart e mbretit. Pastaj tha: "Hape dritaren nga lindja!". Ai e hapi. Atëherë Eliseu tha: "Gjuaj!". Ai gjuajti. Pas kësaj Eliseu i tha: "Shigjeta e fitores së Zotit dhe shigjeta e fitores kundër sirëve, sepse ti do t'i mundësh sirët në Afek derisa t'i shfarosësh". Pastaj tha: "Merri shigjetat!", dhe ai i mori. Eliseu i tha pastaj mbretit të Izraelit: "Rrihe tokën"; ai e rrahu tri herë dhe pastaj u ndal. Por njeriu i Perëndisë u zemërua me të dhe i tha "Duhet ta kishe rrahur pesë ose gjashtë herë; atëherë do t'i kishe mundur sirët derisa t'i zhdukje fare; tani përkundrazi do t'i mundësh sirët vetëm tri herë".