Isaia 44
ALBB
44
1"Tani dëgjo, o Jakob, shërbëtori im, o Izrael, që unë kam zgjedhur!
2Kështu thotë Zoti që të ka bërë dhe të ka formuar që në barkun e nënës, ai që të ndihmon: Mos ki frikë, o Jakob, shërbëtori im, o Jeshurun që unë kam zgjedhur!
3Sepse unë do të derdh ujë mbi atë që ka etje dhe rrëke mbi tokën e thatë; do të derdh Frymën time mbi pasardhësit e tu dhe bekimin tim mbi trashëgimtarët e tu.
4Ata do të rriten në mes të barit, si shelgje gjatë rrjedhave ujore.
5Njeri do të thotë: "Unë jam i Zotit"; tjetri do të quhet me emrin e Jakobit, dhe një tjetër do të shkruajë mbi dorën e tij: "I Zotit", dhe do ta ketë për nder të mbajë emrin e Izraelit".
6Kështu thotë Zoti, mbreti i Izraelit dhe Çliruesi i tij, Zoti i ushtrive: "Unë jam i pari dhe jam i fundit, dhe përveç meje nuk ka Perëndi.
7Kush është si unë? Le ta shpallë, pra, ta deklarojë dhe të japë prova para meje që kur kam vendosur këtë popull të lashtë. Le t'u njoftojnë gjërat që do të ndodhin dhe ngjarjet që do të kryhen.
8Mos u trembni, mos kini frikë! A nuk ta kam shpallur, vallë, dhe nuk ta kam deklaruar prej kohe? Ju jeni dëshmitarë të mi. A ka vallë një Perëndi përveç meje? Nuk ka Shkëmb tjetër, nuk njoh tjetër të tillë.
9Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp.
10Kush prodhon një zot apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa patur fare dobi?
11Ja, të gjithë shokët e këtij personi do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe do të turpërohen njëkohësisht.
12Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet.
13Zdrukthëtari shtrin vizorin, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi.
14Ai pret për vete disa cedra, merr një selvi apo një lis që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër që shiu e bën të rritet.
15Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t'u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.
16Djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: "Ah, po ngrohem, kënaqem me zjarrin".
17Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: "Shpëtomë, sepse ti je perëndia im".
18Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.
19Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: "Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një gjë të neveritshme dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?".
20Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund të çlirojë shpirtin e tij dhe të thotë: "A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në dorën time të djathtë?".
21"Mbaji mend këto gjëra, o Jakob, o Izrael, sepse ti je shërbëtori im; unë të kam formuar, ti je shërbëtori im; o Izrael, nuk do të të harroj.
22I fshiva shkeljet e tua si një re e dendur, dhe mëkatet e tua si një mjegullinë; kthehu tek unë, sepse unë të kam çliruar".
23Ngazëlloni, o qiej, sepse Zoti ka vepruar. Gëzohuni, o thellësi të tokës. Shpërtheni në britma gëzimi, o male, o pyje, me gjithë drurët tuaj! Sepse Zoti ka çliruar Jakobin dhe ka shfaqur lavdinë e tij në Izrael.
24Kështu thotë Zoti, Çliruesi yt, ai që të ka formuar që në bark të nënës: "Unë jam Zoti që kam bërë tërë gjërat, që i vetëm, kam shpalosur qiejt dhe kam shtrirë tokën; kush ishte me mua?
25Unë i bëj të kota parashikimet e gënjeshtarëve dhe i bëj shortarët pa mend; unë bëj që të sprapsen njerëzit e urtë dhe e kthej dijen e tyre në marrëzi.
26Vërtetoj fjalën e shërbëtorit tim dhe i jap sukses këshillës së lajmëtarëve të mi; unë i them Jeruzalemit: "Do të kesh banorë", dhe qyteteve të Judës: "Do t'ju rindërtojnë", dhe unë do të rindërtoj gërmadhat e tyre.
27Unë i them humnerës: "Thahu!"; dhe unë do të thaj lumenjtë e tu.
28Them për Kirin: "Ai është bariu im!" dhe do të çojë në vend tërë dëshirat e mia, duke i thënë Jeruzalemit: "Do të rindërtohesh!", dhe tempullit: "Do të jesh i qëndrueshëm!"".