Kolosianëve 2
ALBB
2
1Sepse dua që të dini ç'luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata që janë në Laodice dhe për të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time personalisht,
2që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarsisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit,
3ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.
4Dhe po ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse,
5sepse, edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
6Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të,
7duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falënderim.
8Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit,
9sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.
10Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti,
11në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit:
12të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.
13Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.
14Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq;
15dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhënjyer mbi ata në të.
16Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna;
17këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit.
18Askush të mos përvetësojë prej jush çmimin me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve, duke u përzier në gjëra që nuk i ka parë, i fryrë nga një krenari e kotë për shkak të mendjes së tij mishërore,
19dhe nuk mbahet te kryet, prej të cilit gjithë trupi, i ushqyer mirë dhe i lidhur i tëri me anë të nyjave dhe të gjymtyrëve rritet me rritjen e Perëndisë.
20Pra, në qoftë se vdiqët me Krishtin nga elementet e botës, përse u nënshtroheni disa rregullave, a thua se jetoni ende në botë, si:
21''Mos prek, mos shijo, mos merr'',
22të gjitha gjërat që prishen nga përdorimi, sipas urdhërimeve dhe mësimeve të njerëzve?
23Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përulësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit.