YouVersion Logo
Search Icon

Isaia 14

14
1Me qenë se Zotit do t'i vijë keq për Jakobin, ai do të zgjedhë përsëri Izraelin dhe do t'i rivendosë në tokën e tyre; të huajt do të bashkohen me ta dhe do të lidhen me shtëpinë e Jakobit.
2Popujt do t'i marrin dhe do t'i çojnë përsëri në vendin e tyre dhe shtëpia e Izraelit do t'i zotërojë në vendin e Zotit si robër dhe robinja; do të zënë robër ata që i kishin zënë robër dhe do të mbretërojnë mbi shtypësit e tyre.
3Kështu që ditën në të cilën Zoti do t'i japë prehje lodhjes sate, shqetësimit tënd nga skllavëria e rëndë së cilës i ishe nënshtruar,
4ti do të shqiptosh këtë sentencë mbi mbretin e Babilonisë dhe do të thuash: "Si mbaroi shtypësi? Tagrambledhja e arit si ka mbaruar?
5Zoti e ka thyer shkopin e të pabesëve, skeptrin e tiranëve.
6Ai që në tërbim e sipër godiste popujt me goditje të pandërprera, ai që sundonte me zemërim mbi kombet tani përndiqet pa mëshirë.
7Mbarë dheu pushon i qetë, njerëzit shpërthejnë në britma gëzimi.
8Madje edhe selvitë e cedrat e Libanit gëzohen për ty dhe thonë: "Që kur ke rënë, asnjë druvar s'ka dalë kundër nesh".
9Sheoli poshtë është në lëvizje për ty, me qëllim që të të dalë përpara kur të vish; ai zgjon frymët e të vdekurve, tërë princat e dheut; ka ngritur nga fronet e tyre gjithë mbretërit e kombeve.
10Të gjithë e marrin fjalën për të të thënë: "Edhe ti je bërë i dobët si ne dhe je bërë i ngjashëm me ne.
11Salltaneti yt ka rënë në Sheol tok me tingujt e harpave të tua; poshtë teje shtrihet një shtrat me krimba dhe krimbat janë mbulesa jote".
12Vallë, si ke rënë nga qielli, o Lucifer, bir i agimit? Vallë si të hodhën për tokë ty që i hidhje poshtë kombet?
13Ti thoshe në zemrën tënde: "Unë do të ngjitem në qiell, do të ngre fronin tim përmbi yjet e Perëndisë; do të ulem mbi malin e asamblesë në pjesën skajore të veriut;
14do të ngjitem mbi pjesët më të larta të reve, do të jem i ngjashëm me Shumë të Lartin".
15Po përkundrazi do të hidhesh në Sheol, në thellësitë e gropës.
16Ata që të shikojnë të ngulin sytë, të vërejnë me kujdes dhe thonë: "Ky është njeriu që e bënte tokën të dridhej, që i trondiste mbretëritë,
17që e katandisi botën në shkretëtirë, që shkatërron qytetet e saj dhe nuk i la kurrë të shkojnë të lirë robërit e tij?".
18Të gjithë mbretërit e kombeve, tërë ata prehen në lavdi, secili në varrin e tij;
19ty përkundrazi të hodhën larg varrit tënd si një farë e neveritshme, si një rrobë e të vrarëve nga shpata, që i zbresin mbi gurët e gropës, si një kufomë e shkelur.
20Ti nuk do të bashkohesh me ta në varr, sepse ke shkatërruar vendin tënd dhe ke vrarë popullin tënd; pasardhësit e keqbërësve nuk do të përmenden më.
21Përgatitni masakrën e bijve të tij për shkak të paudhësisë së etërve të tyre, që të mos ngrihen më për të zotëruar tokën dhe për të mbushur faqen e dheut me qytete.
22"Unë do të ngrihem kundër tyre", thotë Zoti i ushtrive, "dhe do të shfaros nga Babilonia emrin dhe ata që kishin shpëtuar, fëmijët dhe pasardhësit", thotë Zoti.
23"Do të bëj që atje të sundojë iriqi dhe moçali; do ta fshij me fshesën e shkatërrimit", thotë Zoti i ushtrive".
24Zoti i ushtrive është betuar duke thënë: "Në të vërtetë ashtu siç e kam menduar ashtu do të jetë, dhe ashtu si kam vendosur, kështu ka për të ndodhur.
25Do ta dërrmoj asirin në vendin tim, do ta shkel në malet e mia; atëherë zgjedha e tij do t'u hiqet atyre dhe barra tij do të hiqet nga kurrizi i tyre.
26Ky është plani i vendosur kundër të gjithë dheut dhe kjo është dora e shtrirë kundër të gjithë kombeve.
27Me qenë se Zoti i ushtrive e ka vendosur këtë, kush mund t'ia anulojë? Dora e tij është shtrirë dhe kush mund ta detyrojë ta tërheqë?".
28Në vitin e vdekjes së mbretit Ashaz u shqiptua kjo profeci:
29"Mos u gëzo, o Filisti e tërë, sepse shufra që të godiste është thyer! Sepse nga rrënja e gjarprit ka për të dalë një nepërkë, dhe fryti i saj do të jetë një gjarpër i zjarrtë dhe fluturues.
30Të parëlindurit e të varfërve do të kenë ç'të hanë dhe nevojtarët do të pushojnë të sigurt; por do të bëj që të vdesin urie rrënjët e tua dhe kjo do të shkatërrojë mbetjen tënde.
31Bërtit, o portë, thirr, o qytet! Shkrihu, o Filisti e tërë, sepse nga veriu vjen një tym, dhe askush nuk lë vendin e tij në radhët e veta".
32Çfarë përgjigje do t'u jepet lajmëtarëve të këtij kombi? "Që Zoti ka themeluar Sionin dhe që në të gjejnë strehë të mjerët e popullit të tij".

Currently Selected:

Isaia 14: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy