YouVersion Logo
Search Icon

Zanafilla 35

35
1Perëndia i tha Jakobit: "Çohu, ngjitu në Bethel dhe vendosu aty; dhe bëj aty një altar Perëndisë që t'u shfaq, kur ikje para vëllait tënd Esau".
2Atëherë Jakobi i tha familjes së tij dhe gjithë atyre që ishin me të: "Hiqni nga rrethi juaj perënditë e huaja, pastrohuni dhe ndërroni rrobat tuaja;
3pastaj të ngrihemi dhe të shkojmë në Bethel, dhe unë do t'i bëj një altar Perëndisë që plotësoi dëshirën time ditën e fatkeqësisë sime dhe që më shoqëroi në udhëtimin që kam bërë".
4Atëherë ata i dhanë Jakobit tërë perënditë e huaja që kishin dhe varëset që mbanin në veshë; dhe Jakobi i fshehu nën lisin që ndodhet pranë Sikemit.
5Pastaj ata u nisën dhe tmerri i Perëndisë ra mbi të gjitha qytetet rreth tyre, kështu që nuk i ndoqën bijtë e Jakobit.
6Kështu Jakobi arriti në Luc, domethënë në Bethel, që ndodhet në vendin e Kanaanit; erdhi aty me të gjithë njerëzit që ishin me të.
7Dhe aty ndërtoi një altar dhe këtë vend e quajti El-Bethel, sepse aty i qe shfaqur Perëndia kur po ikte para vëllait të tij.
8Atëherë vdiq Debora, taja e Rebekës, dhe e varrosën poshtë Bethelit, në këmbët e lisit që u quajt Alon-Bakuth.
9Perëndia iu shfaq përsëri Jakobit, kur ky po vinte nga Padam-Arami dhe e bekoi.
10Dhe Perëndia i tha: "Emri yt është Jakob; ti nuk do të quhesh më Jakob, por emri yt do të jetë Izrael". Dhe i vuri emrin Izrael.
11Pastaj Perëndia i tha: "Unë jam Perëndia i Plotfuqishëm; ti bëhu i frytshëm dhe shumëzo; një komb, madje një tërësi kombesh do të rrjedhin prej teje, dhe disa mbretër kanë për të dalë nga ijët e tua;
12dhe do të të jap ty dhe pasardhësve të tu pas teje vendin që i dhashë Abrahamit dhe Isakut".
13Pastaj Perëndia u ngjit më lart nga ai, nga vendi ku i kishte folur.
14Atëherë Jakobi ndërtoi një përmendore, një përmendore prej guri, në vendin ku Perëndia i kishte folur; mbi të hodhi pak verë dhe derdhi ca vaj sipër.
15Dhe Jakobi e quajti Bethel vendin ku Perëndia i kishte folur.
16Pastaj u nisën nga Betheli; kishte edhe një copë rrugë për të arritur në Efratë, kur Rakela lindi. Ajo pati një lindje të vështirë;
17dhe gjatë lindjes së vështirë mamia i tha: "Mos ki frikë, sepse edhe këtë herë ke një djalë".
18Dhe ndërsa shpirti po e linte (sepse vdiq), i vuri emrin Ben-Oni, por i ati e quajti Beniamin.
19Kështu Rakela vdiq dhe u varros në rrugën e Efratës (domethënë të Betlemit).
20Dhe Jakobi ngriti mbi varrin e saj një përmendore. Dhe kjo përmendore ekziston ende sot e kësaj dite mbi varrin e Rakelës.
21Pastaj Izraeli u nis dhe ngriti çadrën përtej Migdal-Ederit.
22Dhe ndodhi që, ndërsa Izraeli banonte në atë vend, Rubeni shkoi e ra në shtrat me Bilbah, konkubinën e atit të tij. Dhe Izraeli e mori vesh.
23Bijtë e Jakobit ishin dymbëdhjetë. Bijtë e Leas ishin: Rubeni, i parëlinduri i Jakobit, Simeoni, Levi, Juda, Isakari dhe Zabuloni.
24Bijtë e Rakelës ishin: Jozefi dhe Beniamini.
25Bijtë e Bilhahut, shërbëtorja e Rakelës, ishin: Dani dhe Neftali.
26Bijtë e Zilpahës, shërbëtorja e Leas, ishin: Gadi dhe Asheri. Këta janë bijtë e Jakobit që i lindën në Padan-Aram.
27Pastaj Jakobi erdhi tek Isaku, i ati, në Marme, në Kirjath-Arba (domethënë në Hebron), ku Abrahami dhe Isaku kishin qëndruar ca kohë.
28Isaku jetoi njëqind e tetëdhjetë vjet.
29Kështu Isaku dha shpirt, vdiq dhe u bashkua me popullin e tij, ishte i plakur dhe i ngopur me ditë; dhe Esau dhe Jakobi, bijtë e tij, e varrosën.

Currently Selected:

Zanafilla 35: ALBB

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy