Parallel
16
1Kështu e prunë arkën e Perëndisë dhe e vendosën në mes të tabernakullit që Davidi kishte ngritur për të; pastaj ofruan holokauste dhe flijime falënderimi përpara Perëndisë.
2Kur Davidi mbaroi së ofruari holokaustet dhe flijimet e falënderimit, ai bekoi popullin në emër të Zotit;
3pastaj u ndau tërë izraelitëve, burra dhe gra, secilit prej tyre një bukë, një racion mish dhe një sasi rrushi të thatë.
4Pastaj vendosi përpara arkës të Zotit disa levitë për të kryer shërbimin për të kujtuar, për të falënderuar dhe për të lëvduar Zotin, Perëndinë e Izraelit;
5Asafi, i pari, Zakaria i dyti mbas tij, pastaj Jeieli, Shemiramothi, Jehieli, Matithiahu, Eliabi, Benajahu, Obed-Edomi dhe Jeieli. Ata u binin harpave dhe qesteve, ndërsa Asafi u binte cembaleve.
6Priftërinjtë Benajah dhe Jahaziel përkundrazi i binin borisë vazhdimisht përpara arkës së besëlidhjes së Perëndisë.
7Atë ditë Davidi u besoi për herë të parë Asafit dhe vëllezërve të tij detyrën që të këndonin lëvdata Zotit.
8Kremtoni Zotin, kujtoni emrin e tij; bëjini të njohura veprat e tij midis popujve.
9Këndojini atij, lëvdoheni, mendoni të gjitha mrekullitë e tij.
10Lëvdohuni me emrin e tij të shenjtë; u gëzofshin zemrat e të gjithë atyre që kërkojnë Zotin!
11Kërkoni Zotin dhe forcën e tij, kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij!
12Kujtoni mrekullitë që ka bërë, çuditë e tij dhe gjykimet që kanë dalë nga goja e tij,
13ju, o stërnipa të Izraelit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij!
14Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij i gjejmë mbi të gjithë tokën.
15Mos harroni kurrë besëlidhjen e tij, fjalën e tij të urdhëruar për një mijë breza,
16besëlidhjen e lidhur me Abrahamin, betimin që i ka bërë Isakut,
17që ia konfirmoi Jakobit si një statut dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
18duke thënë: "Unë do t'ju jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj".
19kur nuk ishin veçse një numër i vogël, fare i pakët dhe të huaj në vend.
20Kur shkonin nga një komb në një tjetër, nga një mbretëri në një popull tjetër,
21ai nuk lejoi që ndokush t'i shtypte; përkundrazi dënoi disa mbretër për dashurinë që ushqente për ta,
22duke thënë: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos u bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
23Këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës, lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij!
24Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mrekullitë e tij midis tërë popujve!
25Sepse Zoti është i madh dhe i denjë të lëvdohet në kulm; ai është më i tmerrshmi nga tërë perënditë.
26Sepse tërë perënditë e kombeve janë idhuj, kurse Zoti ka krijuar qiejt.
27Shkëlqimi dhe madhëria janë para tij, forca dhe gëzimi ndodhen në banesën e tij.
28Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.
29Jepini Zotit zulmin që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani para tij. Bini përmbys para Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij;
30dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës! Po, bota është e qëndrueshme dhe nuk do të tundet.
31Le të gëzohen qiejt dhe toka, dhe le të thonë kombet: "Zoti mbretëron".
32Le të gjëmojë deti dhe tërë ato që janë në të;
33atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, sepse ai vjen të gjykojë tokën.
34Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
35Thoni: "Shpëtona, o Perëndi i shpëtimit tonë! Na mblidh dhe na çliro nga kombet, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të mburremi se të kemi lëvduar".
36I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga amshimi në amshim! Dhe tërë populli tha: "Amen", dhe lëvdoi Zotin.
37Kështu Davidi la Asafin dhe vëllezërit e tij atje përpara arkës së besëlidhjes të Zotit, me qëllim që të shërbenin vazhdimisht përpara arkës, sipas nevojave të çdo dite,
38la edhe Obed-Edomin dhe të gjashtëdhjetë e tetë vëllezërit e tij (Obed-Edomi, bir i Jeduthunit dhe Hosahu si derëtarë),
39dhe priftin Tsadok dhe priftërinjtë vëllezër të tij përpara tabernakullit të Zotit, në vendin e lartë që ishte në Gabaon,
40me qëllim që ata t'i ofronin Zotit holokauste mbi altarin e holokausteve, vazhdimisht në mëngjes e në mbrëmje, sipas tërë atyre që janë shkruar në ligjin e Zotit, që ai ia kishte imponuar Izraelit.
41Dhe me ta ishin Hemani, Jeduthuni dhe të tjerët që ishin zgjedhur dhe caktuar me emër për të lëvduar Zotin, sepse mirësia e tij është e përjetshme.
42Me ta ishin gjithashtu Hemani dhe Jeduthuni me bori dhe cembale, për ata që do t'u binin veglave, dhe me vegla muzikore për të shoqëruar këngët e Perëndisë. Bijtë e Jeduthunit duhet të rrinin te porta.
43Më në fund tërë populli u kthye, secili në shtëpinë e vet, dhe Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e vet.