YouVersion Logo
Search Icon

Mateu 5

5
Predikimi në mal
(Mt 5—7)
1Kur pa turmat, Jezui u ngjit në mal e pasi u ul, iu afruan dishepujt e vet. 2Atëherë mori fjalën e filloi t'i mësonte kështu:
Lumnitë
(Lk 6.20-23)
3«Lum të varfrit në shpirt,
se e tyre është mbretëria e qiejve.
4Lum ata që vajtojnë,
se do të ngushëllohen.
5Lum të butët,
se do të trashëgojnë tokën.
6Lum të uriturit e të eturit për drejtësi,
se do të ngihen.
7Lum të mëshirshmit,
se do të mëshirohen.
8Lum zemërdëlirët,
se do të shohin Perëndinë.
9Lum paqebërësit,
se do të quhen bij të Perëndisë.
10Lum të përndjekurit për shkak të drejtësisë,
se e tyre është mbretëria e qiejve.
11Lum ju kur t'ju shajnë e t'ju përndjekin,
të thonë të gjitha të këqijat
kundër jush me gënjeshtra
për shkakun tim.
12Gëzohuni e ngazëlleni, se shpërblimi juaj do të jetë i madh në qiej.
Kështu përndoqën edhe profetët para jush».
Kripë dhe dritë
(Mk 9.50; Lk 14.34-35)
13«Ju jeni kripa e tokës. Por nëse kripa e humbet shijen, si mund ta rifitojë? Nuk ka më asnjë vlerë, përveçse të hidhet e të shkelet prej njerëzve. 14Ju jeni drita e botës. Nuk mund të fshihet qyteti i ngritur mbi një mal. 15Askush nuk e ndez kandilin për ta vënë nën magje, por e vë në mbajtësen e vet, që të ndriçojë të gjithë ata që janë në shtëpi. 16Kështu duhet të shndrisë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe të përlëvdojnë Atin tuaj që është në qiej».
Ligji i Moisiut
17«Mos mendoni se kam ardhur për të shfuqizuar ligjin apo profetët. Unë nuk kam ardhur për t'i shfuqizuar, por për t'i përmbushur. 18Me të vërtetë po ju them: derisa të jetë qielli e toka, asnjë “i” dhe asnjë pikë mbi “i” nuk do t'i hiqet ligjit para se të ndodhë gjithçka. 19Prandaj, kushdo që e shpërfill njërin nga këto urdhërime, qoftë edhe më të voglin, e do t'i mësojë edhe të tjerët të bëjnë po ashtu, ai do të jetë më i vogli në mbretërinë e qiejve. Ndërsa ai që do t'i zbatojë e do t'ua mësojë të tjerëve, do të jetë i madh në mbretërinë e qiejve. 20Ja, unë po ju them: nëse drejtësia juaj nuk do të jetë më e madhe se drejtësia e shkruesve dhe e farisenjve, nuk do të hyni në mbretërinë e qiejve».
Zemërimi
21«Keni dëgjuar se të parëve u qe thënë: mos vrit. Ai që vret, do të dalë në gjyq. 22Por unë po ju them: kushdo që zemërohet kundër vëllait të vet#5.22 dorëshk. të tjera edhe: pa shkak, do të dalë në gjyq, por kush i thotë vëllait të vet “i pamend”, do të përgjigjet para sinedrit, dhe nëse i thotë “i marrë”, do të përgjigjet në Gehenën e zjarrit. 23Nëse, kur sjell dhuratën e blatimit në altar, kujtohesh se vëllai yt ka diçka kundër teje, 24lëre dhuratën aty para altarit, shko e pajtohu më parë me vëllanë tënd, pastaj kthehu e kushtoje dhuratën tënde. 25Shpejto të merresh vesh me kundërshtarin tënd ndërsa je ende rrugës me të, që ai mos të të dorëzojë te gjykatësi, gjykatësi te roja e të përfundosh në burg. 26Me të vërtetë po të them se nuk do të dalësh që andej pa paguar deri edhe qindarkën e fundit».
Tradhtia bashkëshortore
27«Keni dëgjuar se është thënë: mos bëj tradhti bashkëshortore. 28Por unë po ju them: kushdo që e shikon një grua me dëshirim, ka bërë tashmë tradhti bashkëshortore me të në zemrën e vet. 29Nëse syri yt i djathtë të bëhet pengesë, nxirre e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh njërën nga gjymtyrët, sesa të të hidhet i tërë trupi në Gehenë. 30Dhe, nëse dora jote e djathtë të bëhet pengesë, prije e hidhe larg teje, se është më mirë për ty të humbasësh vetëm njërën nga gjymtyrët, sesa të të shkojë i tërë trupi në Gehenë».
Divorci
(Mt 19.9; Mk 10.11-12; Lk 16.18)
31«Është thënë edhe: kushdo që e ndan gruan, duhet t'i japë asaj fletëndarjen. 32Por unë po ju them: kushdo që e ndan gruan e vet, përveç rastit të kurvërisë, e shtyn atë në tradhti bashkëshortore dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, bën tradhti bashkëshortore».
Betimi
33«Keni dëgjuar edhe se u qe thënë të parëve: mos bëj betim të rremë, por bëj atë për të cilën je betuar para Zotit. 34Ndërsa unë po ju them: mos u betoni kurrë. As për qiellin, se është froni i Perëndisë, 35as për tokën, se është shtroja e këmbëve të tij, as për Jerusalemin, se është qyteti i mbretit të madh. 36Mos u beto as për kokën tënde, se as edhe një fije floku nuk mund ta bësh të bardhë a të zezë. 37Kur të flisni, thoni “po” kur është “po” dhe “jo” kur është “jo”. Çfarë thuhet më shumë, vjen nga i ligu».
Shpagimi
(Lk 6.29-30)
38«Keni dëgjuar se është thënë: sy për sy e dhëmb për dhëmb. 39Por unë po ju them: mos hyr në luftë me të ligun! Përkundrazi, nëse dikush të jep një shuplakë në faqen e djathtë, ktheji edhe tjetrën. 40Nëse dikush do që të të hedhë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe gunën. 41Nëse të kërkon të ecësh një milje, bëj me të dy milje. 42Jepi atij që të kërkon e mos ia kthe shpinën atij që të kërkon hua».
Dashuria për armiqtë
(Lk 6.27-28, 32-36)
43«Keni dëgjuar se është thënë: duaje të afërtin, por urreje armikun tënd. 44Por unë po ju them: duajini armiqtë tuaj#5.44 dorëshk. të tjera edhe: bekoni ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë e lutuni për ata që ju përndjekin, 45që të bëheni bij të Atit tuaj që është në qiej, sepse ai bën të lindë dielli i tij mbi të këqijtë e mbi të mirët dhe të bjerë shiu mbi të drejtët e mbi të padrejtët. 46Sepse, nëse doni vetëm ata që ju duan, ç'shpërblim do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47Dhe nëse përshëndetni vetëm vëllezërit tuaj, ç'gjë të veçantë bëni? A nuk bëjnë kështu edhe popujt e kombeve#5.47 dorëshk. të tjera: tagrambledhësit? 48Jini, pra, të përsosur, sikurse është i përsosur edhe Ati juaj qiellor».

Currently Selected:

Mateu 5: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy