Gjoni HYRJE E UNGJILLIT SIPAS GJONIT
AL
HYRJE E UNGJILLIT SIPAS GJONIT
Veçoritë kryesore
Ungjilli i katërt shfaqet me disa veçanti. Ai nuk ka me tre të tjerët (Mateun, Markun, Lukën) ato ngjashmëritë e ngushta karakteristike, nga të cilat kanë marrë emrin «ungjij sinoptikë». Ata i japin rëndësi veçanërisht asaj që bëri dhe tha në Galile Jezui, ndërkohë që një udhëtim i vetëm në Jerusalem përfundon veprimtarinë e tij. Përkundrazi Gjoni i jep shumë hapësirë edhe veprave që kreu Jezui në Jude, si edhe flet për të paktën tre nga udhëtimet e tij në Jerusalem (Gjn 1.13; 5.1; 7.10). Sinoptikët përmendin rreth tridhjetë episode mrekullish; Gjoni përmend shtatë (vetëm dy ose tre nga këto përmenden edhe tek ungjijtë e tjerë) dhe në ndryshim nga sinoptikët, i quan ato «shenja» ose «shenja të mrekullueshme»; ndonjëherë edhe «vepra». Sinoptikët e paraqesin mësimin e Jezuit me fjali të shkurtra dhe me shumë shëmbëlltyra; Gjoni duket sikur i «injoron» shëmbëlltyrat (por në kapitujt 10 dhe 15 gjenden dy shëmbëlltyra nxitëse: Bariu i Mirë; Hardhia dhe Shermendet); përkundrazi përmban ligjërata të gjata solemne (p.sh. «ligjëratat e lamtumirës» kapitulli 14 dhe të tjerët në vazhdim gjatë darkës së fundit të Jezuit me dishepujt).
Gjoni ka një stil tipik: të thjeshtë dhe madhështor në të njëjtën kohë. Disa fjalë hasen shpesh: dashuria, besimi, gjykimi, drita, e vërteta, jeta, bota, të tregosh, të dëshmosh… Në krahasim me ungjijtë e tjerë dallohen edhe ndryshime të tjera që të bëjnë përshtypje: nuk gjenden as lutja Ati ynë, as Lumnitë; nuk flitet për fëmijërinë e Jezuit e as për themelimin e Darkës së Zotit apo Eukaristinë. Në këmbim, Gjoni ka shumë gjëra që nuk gjenden tek ungjijtë sinoptikë, veçanërisht në mënyrën sesi e paraqet Jezuin: Unë jam drita (Gjn 8.12; 9.5), dera (Gjn 10.7-9), bariu i mirë (Gjn 10.11-14), hardhia e vërtetë (Gjn 15.1), udha, e vërteta dhe jeta (Gjn 14.6), ngjallja dhe jeta (Gjn 11.25), buka që jep jetën (Gjn 6.35-48). Gjoni duket sikur ngul këmbë të tregojë se Jezui është i madh e i fuqishëm sa vetë Perëndia, se ai është kulmi «i lavdisë» së Perëndisë madje përpara se të ngjallej, por në të njëjtën kohë është njerëzor dhe konkret: Jezui i Nazaretit. Që prej fillimit, njohja, veprimi dhe fjala e tij janë zbulesa e një qenieje hyjnore, e «Birit», e Fjalës së Perëndisë, të pranishëm në botë. Prandaj, që prej fillimit, dishepujt e kanë të mundur «të shohin, të kuptojnë dhe të besojnë».
Kujt i drejtohet
Ndoshta ky ungjill u shkrua për lexues që nuk i njihnin ungjijtë e tjerë, edhe pse kishin kohë që dëgjonin predikimin e krishterë. Qëllimi i autorit deklarohet në kapitullin 20.31: të ndihmojë njerëzit që të besojnë se Jezui është Mesia dhe Biri i Zotit. Atij që e beson këtë, i jepet jeta e vërtetë.
Autori
Ashtu si autorët e ungjijve të tjerë edhe ky nuk na e tregon emrin e tij. Që në vitet e para pas K. tradita pohon se ai është dishepulli i zgjedhur, shpesh i cituar në Ungjill (Gjn 13.23-26; 19.25-27; 20.2-12; 21.1-4) dhe që korrespondon me dishepullin Gjon, vëllanë e Jakobit (shih Mk 1.19). Disa nga etërit e kishës pohojnë se autor i këtij ungjilli ishte pikërisht ky Gjon. Ka të ngjarë që Gjoni të ketë qenë në moshë të re në kohën e Jezuit dhe se ai duhet ta ketë shkruar Ungjillin në pleqëri.
Mendohet se ky ungjill u shkrua pak a shumë rreth vitit 100.
Skema
Struktura e Ungjillit të katërt na lejon të kuptojmë ndonjë aspekt të perspektivës së pazakontë të Gjonit.
- Himni i hapjes dhe hyrja 1.1-18
- Takimet e para dhe mrekullitë e para 1.19—4.54
- Shfaqja dhe gjykimi: mrekullitë dhe debatet 5.1—10.42
- Drejt orës vendimtare 11.1—12.50
- Lamtumira e gjatë e Jezuit 13.1—17.26
- Vuajtjet dhe vdekja: lavdia paradoksale 18.1—19.42
- Ngjallja e Jezuit 20.1—21.25
Ungjilli sipas Gjonit

© Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale e Shqipërisë 2018

© Interconfessional Bible Society of Albania 2018

Learn More About Bibla Shqip 2018 "Së bashku"