YouVersion Logo
Search Icon

2 Korintasve 11

11
Pali dhe apostujt e rremë
1Ah, sikur ta duronit pak marrëzi nga ana ime. Më duroni, pra! 2Ndiej për ju një zili që vjen prej Perëndisë. Ju fejova me një burrë të vetëm dhe ju paraqita te Krishti si një virgjëreshë të pastër. 3Por kam frikë se, sikurse e mashtroi gjarpri Evën me dinakërinë e tij, edhe mendimet tuaja do të shmangen nga përkushtimi i çiltër dhe i pastër ndaj Krishtit. 4Në të vërtetë, nëse vjen dikush dhe ju predikon një tjetër Jezu nga ai që ju predikuam ne, nëse merrni një tjetër shpirt nga ai që morët apo një ungjill të ndryshëm nga ai që pranuat, ju e duroni me dëshirë. 5Unë mendoj se nuk jam aspak më i vogël se këta kryeapostuj. 6Edhe po të isha më i dobët në gojëtari, nuk jam në dije dhe këtë gjë jua kemi bërë të ditur në çdo mënyrë e në gjithçka.
7A mos bëra mëkat se përula veten që të lartësoheshit ju duke ju predikuar falas ungjillin e Perëndisë? 8Kam marrë nga kishat e tjera çfarë më duhej për të jetuar dhe u kam hyrë në pjesë për t'ju shërbyer juve. 9Kur isha te ju e kur isha në nevojë, nuk iu bëra barrë askujt, sepse m'i plotësuan nevojat vëllezërit nga Maqedonia. Kështu jam ruajtur e do të ruhem që të mos ju bëhem barrë. 10Për të vërtetën e Krishtit, që është në mua, mburrja ime nuk do të heshtë në krahinën e Akaisë. 11E pse? Se nuk ju dua? Perëndia e di se ju dua.
12Atë që po bëj do të vazhdoj ta bëj, që t'ua heq mundësinë atyre që e dëshirojnë një mundësi për t'u njohur si të barabartë me ne në gjërat për të cilat mburren. 13Këta janë apostuj të rremë, punëtorë mashtrues, që hiqen si apostuj të Krishtit. 14E mos u çuditni! Edhe Satani hiqet si engjëll drite. 15Prandaj nuk është gjë e madhe nëse edhe shërbëtorët e tij hiqen si shërbëtorë të drejtësisë. Siç kanë veprat, ashtu edhe do të përfundojnë.
Vuajtjet si apostull
16Po e përsëris: të mos mendojë askush se jam i marrë! Por, nëse mendoni kështu, atëherë më pranoni si të marrë, që të krenohem pak edhe unë. 17Atë që po them tani nuk po e them sipas Zotit, por si të isha një i marrë që mendon se mund të krenohet. 18Meqenëse shumë veta krenohen me gjëra njerëzore, atëherë do të krenohem edhe unë, 19sepse ju që jeni të ditur, i duroni lehtësisht të marrët. 20Nëse dikush ju trajton si skllevër, ju shfrytëzon, ju plaçkit, ju përçmon, ju qëllon në fytyrë, ju e duroni. 21Më vjen turp të them se kemi qenë tepër të dobët, por, nëse dikush merr guximin të krenohet me ndonjë gjë, po flas si të isha i marrë, atëherë do të guxoja edhe unë. 22A janë ata hebrenj? Edhe unë jam. Janë izraelitë? Edhe unë jam. Janë pasardhës të Abrahamit? Edhe unë jam. 23Janë shërbëtorë të Krishtit? Po flas si të isha i çmendur: unë jam edhe më shumë. Kam kaluar më shumë mundime se ata, më kanë burgosur më shumë se ata, kam vuajtur fshikullima të panumërta e shpesh kam qenë në rrezik për vdekje.
24Judenjtë më rrahën pesë herë me nga tridhjetë e nëntë fshikuj. 25Tri herë më kanë rrahur me shkop. Një herë më kanë goditur me gurë, tri herë më është mbytur anija e për një natë e një ditë jam endur nëpër det. 26Kam udhëtuar shumë në këmbë, kam përjetuar rreziqe nga lumenjtë, rreziqe nga kusarët, rreziqe nga bashkëkombësit, rreziqe nga kombet, rreziqe në qytet, rreziqe në shkretëtirë, rreziqe në det dhe rreziqe nga vëllezërit e rremë. 27Kam kaluar mundime e vështirësi, shumë net pa gjumë, i uritur e i etur, shpesh pa ushqim, në të ftohtë e i zhveshur. 28Përveç këtyre më mundonte çdo ditë përkujdesja për të gjitha kishat. 29Nëse dikush është i dobët, atëherë edhe unë bëhem i dobët. Nëse dikush bie, atëherë vuaj edhe unë.
30Nëse duhet të krenohem, krenohem me dobësitë e mia. 31Perëndia dhe Ati i Zotit Jezu, që është i bekuar në amshim, e di se nuk gënjej. 32Kur isha në Damask, qeveritari i mbretit Aret, vuri roja në gjithë qytetin e Damaskut për të më kapur, 33por më zbritën me një kosh nga një dritare në mur dhe u ika nga duart.

Currently Selected:

2 Korintasve 11: AL1

Highlight

Share

Copy

None

Want to have your highlights saved across all your devices? Sign up or sign in

YouVersion uses cookies to personalize your experience. By using our website, you accept our use of cookies as described in our Privacy Policy