Ura për tek Esteri预览

Ura për tek Esteri

57天中的第10天

Ester 2:5-7

Në qytetin e Suzas ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një beniaminit,

që e kishin shpërngulur nga Jerusalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.

Ai kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të vet, sepse ajo nuk kishte as baba, as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së të atit dhe të nënës së saj, Mardokeu e mori si bijën e vet.

Hidhërim i heshtur

Këtu lexojmë për herë të parë për Esterin. Prindërit e saj i kishin vënë një emër të bukur. “Hadasah” është emri judaik për “mërsinë”, një lule delikate në formë ylli, e cila ka një aromë shumë të këndshme. Mbase për këtë arsye emri i saj pers u bë Ester, që do të thotë “një yll”. Por herët në fëmijëri i ndodhi diçka që solli një hije të rëndë në jetën e saj – të dy prindërit e saj vdiqën! Rëndësia e këtij fakti për Esterin mund të kuptohet thellësisht vetëm nga ata që i kanë humbur të dy prindërit. Humbja është e paimagjinueshme.

Zoti nuk kërkon që ne të kuptojmë hidhërimin e njerëzve të tjerë, por na urdhëron ta duam të afërmin si veten. Ata fëmijë ose të rritur që ndiejnë pikëllim dhe dhimbje në zemrat e tyre kanë nevojë për dashurinë tonë. A njihni fëmijë në klasën ose në kishën tuaj që kanë humbur babanë apo nënën e tyre, ose që të dy? Sot prindërit e shumë fëmijëve janë të divorcuar. Babai dhe nëna e tyre nuk e duan më njëri-tjetrin, janë shpërngulur në shtëpi të ndryshme, dhe fëmijët jetojnë me kohë të pjesshme herë me njërin prind, herë me tjetrin ose ka raste edhe vetëm me njërin. Fëmijë të tjerë jetojnë me gjyshërit ose me familje që i kanë birësuar, sepse prindërit e tyre nuk munden apo nuk dëshirojnë të kujdesen për ta. Të gjithë këta bartin një hidhërim të heshtur. Si mund t’u tregoni dashuri atyre?

Së pari, duke u përpjekur të jeni të kujdesshëm kur flisni për prindërit tuaj. Mund të jetë shumë e dhimbshme për fëmijët që kanë humbur një prind, kur ju flisni gjatë për atë që bëjnë babai dhe nëna juaj.

Së dyti, mbani parasysh që këta fëmijë mund të ndihen shumë të turpëruar, për shkak se një nga prindërit e tyre nuk është gjallë apo nuk jeton në shtëpi me ta. Ka mundësi që fëmijët që janë rritur vetëm nga një prind apo me asnjërin nga prindërit, të ndihen ndryshe nga fëmijët e tjerë. Të qenët ndryshe shpesh na bën të ndihemi të turpëruar.

Së treti, mos u sillni sikur prindërit e tyre nuk kanë ekzistuar kurrë ose nuk janë më të rëndësishëm. Pyetini për babanë dhe nënën e tyre: “Si ishin ata? Çfarë bënin prindërit tuaj kur ishin akoma të gjallë?”. Shfaqja e interesit të vërtetë në lidhje me prindërit e tyre mund të jetë një mirësjellje e vërtetë. Shikoni reagimin e tyre me kujdes: nëse vini re që ata kanë dëshirë që të flasin për babanë apo nënën e tyre, atëherë mund të flisni për këtë gjë sërish. Mbase mund të zbuloni ditëlindjen apo ditën e vdekjes së prindit, apo prindërve të tyre. Sa e veçantë është që në atë ditë të luteni për ta dhe me qetësi t’ju tregoni që po i kujtoni në lutjet tuaja. Por nëse nuk ndihen rehat kur i pyesni për prindërit, atëherë tregohuni të ndjeshëm dhe mos i futni hundët duke bërë shumë pyetje.

Në këtë pasazh shohim edhe një mësim tjetër. Vini re që Perëndia i dha Esterit një kushëri shumë të dashur, i cili ishte shumë më tepër se sa thjesht një kushëri, sepse ai e deshi dhe e trajtoi si bijën e vet. Mëshira e Perëndisë është e madhe, ndaj edhe ju mund t’i sillni të gjitha nevojat tuaja tek Ai në lutje.

读经计划介绍

Ura për tek Esteri

Në librin Ura për tek “Esteri”, duam që libri biblik i Esterit të ketë lidhje me ty. Me një shpjegim fare të thjeshtë rreth vargjeve të çdo kapitulli është përpjekur autori ta sjellë mesazhin e këtij libri sa më pranë teje. Libri përmban paragrafë të shkurtër, mbi të cilët mund të meditosh.

More