Zechariah 14:8-16

Atë ditë do të burojnë prej Jerusalemit ujëra të gjalla. Gjysma e tyre do të derdhen në detin e lindjes, gjysma tjetër në detin e perëndimit. Do të burojnë verës e dimrit. ZOTI do të jetë mbret i tokës. Atë ditë ZOTI do të jetë i vetmi; emri i tij do të jetë i vetmi emër. Tërë toka do të shkretohet prej Gebës deri në Rimon, në jug të Jerusalemit, i cili do të ndërtohet e banohet në vendin e vet, që prej portës së Benjaminit deri te porta e parë, deri te porta e këndeve, që prej kullës së Hananelit deri te torku i mbretit. Jerusalemi do të banohet, kurrë nuk do të shfaroset. I sigurt do të banojë. Kjo është plaga me të cilën ZOTI do t'i godasë popujt që luftuan kundër Jerusalemit: do t'u kalbet mishi, ndërsa rrinë në këmbë, sytë brenda në zgavra e gjuha në gojë. Atë ditë do t'i pllakosë një pështjellim i madh prej ZOTIT, saqë do të kapen me njëri-tjetrin dhe secili do të ngrejë dorë kundër të afërtit. Deri edhe Juda do të luftojë kundër Jerusalemit. Do të grumbullohen pasuritë e gjithë popujve përreth, ar, argjend e petka me shumicë. Me një plagë të tillë do të goditen kuajt, mushkat, devetë, gomarët dhe tërë gjëja e gjallë që gjendet në këto fushime. Ata që do të shpëtojnë prej kombeve që dolën kundër Jerusalemit, do të shkojnë vit për vit për të adhuruar mbretin, ZOTIN e ushtrive, e për të kremtuar festën e Kasolleve.
Zakaria 14:8-16