Romans 6:4-14

Prandaj ne jemi varrosur me të përmes pagëzimit për t'u bashkuar me të në vdekjen e tij, në mënyrë që sikurse Krishti u ngjall prej të vdekurve përmes lavdisë së Atit, ashtu edhe ne të mund të jetojmë një jetë të re. Pra, nëse jemi bashkuar me të në vdekjen e tij, do të bashkohemi me të edhe në ngjalljen e tij. Ne e dimë se njeriu i vjetër që ishte në ne u kryqëzua me Krishtin, që të shkatërrohet natyra jonë mëkatare e të mos jemi më skllevër të mëkatit. Kush ka vdekur, është çliruar nga mëkati. Nëse kemi vdekur me Krishtin, besojmë se do të jetojmë bashkë me të. Ne e dimë se Krishti u ngjall prej të vdekurve dhe nuk mund të vdesë më, sepse vdekja nuk ka më pushtet mbi të. Kur vdiq, Krishti vdiq një herë e përgjithmonë për sa i përket mëkatit, por tani që jeton, jeton për Perëndinë. Kështu edhe ju duhet ta quani veten të vdekur për sa i përket mëkatit, por të gjallë për Perëndinë, me Krishtin Jezu. Prandaj mos lejoni të mbretërojë mëkati në trupin tuaj të vdekshëm, që t'ju bëjë t'u bindeni dëshirave të tij. Mos i vini gjymtyrët tuaja në shërbim të mëkatit si mjete padrejtësie, por kushtojani veten Perëndisë, si njerëz që kanë kaluar nga vdekja në jetë. Përkundrazi, gjymtyrët tuaja i vini në shërbim të Perëndisë, si mjete drejtësie. Sepse mëkati nuk do të ketë më pushtet mbi ju, përderisa ju nuk jeni nën ligjin, por nën hirin e Perëndisë.
Romakëve 6:4-14