Psalm 91:1-16

Kush banon nën strehën e të Tejlartit, qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit. Do t'i them ZOTIT: «Ti je streha ime e fortesa ime, je Perëndia im, te ti kam besim». Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit dhe nga plaga vdekjeprurëse. Me pendët e tij do të të mbulojë, nën krahët e tij strehë do të gjesh, shqyt e mburojë është besnikëria e tij. Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës e as shigjetën që vringëllon ditën, as murtajën që endet nëpër terr e as shfarosjen që shkreton në zheg. Le të bien mijëra përreth teje, apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde, ty nuk do të të prekë asgjë. Vetëm hap sytë e shih ndëshkimin e të paudhëve. ZOTI është streha jote, i Tejlarti banesa jote, nuk të prek asnjë e keqe dhe tendës sate sëmundje nuk do t'i afrohet. Ai do të urdhërojë engjëjt e tij të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve. Në duart e tyre do të të mbajnë, që këmba jote të mos ndeshë në gur. Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh, do të shtypësh luanë e gjarpërinj. «Do ta çliroj, sepse më deshi, do ta mbroj, se njohu emrin tim. Do të më thërrasë e unë do t'i përgjigjem, në vështirësi me të do të jem, do ta shpëtoj e nder do t'i jap. Do ta kënaq me jetë të gjatë dhe shpëtimin tim do t'i dëftej».
Psalmet 91:1-16