Psalms 29:1-11

Jepini ZOTIT, o qenie hyjnore, jepini ZOTIT lavdinë dhe forcën. Jepini ZOTIT lavdinë e emrit të tij, përkuluni para ZOTIT, mes shkëlqimit të tij të shenjtë. Zëri i ZOTIT ushton mbi ujërat, Perëndia i lavdishëm bën të gjëmojë, ZOTI mbi ujërat e shumta. Zëri i ZOTIT ushton plot fuqi, zëri i ZOTIT ushton plot madhështi. Zëri i ZOTIT copëton cedrat, ZOTI thërrmon cedrat e Libanit. Libanin e bën të kërcejë si viçi, Sirionin si kotorri. Zëri i ZOTIT lëshon flakë zjarri, zëri i ZOTIT trondit shkretëtirën, shkretëtirën e Kadeshit ZOTI e trondit. Zëri i ZOTIT i bën drenushat të pjellin, pyjet i lë zhveshur. Në tempullin e tij, të gjithë thonë: «Lavdi!». ZOTI sundon mbi përmbytjen, ZOTI sundon si mbret në amshim. ZOTI i jep forcë popullit të tij, ZOTI e bekon popullin e tij me paqe.
Psalmet 29:1-11