Psalm 24:1-10

E ZOTIT është toka dhe gjithçka gjendet në të, bota me gjithë banorët e saj. Themelet e saj mbi dete i vuri, mbi lumenj e ngriti. Kush do të ngjitet në malin e ZOTIT? Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë? Ai që ka duar të pafajshme e zemër të pastër, që nuk jepet me shpirt pas kotësive e nuk bën betim të rremë. Ai do të marrë bekim prej ZOTIT, drejtësi prej Perëndisë, shpëtimtarit të tij. E tillë është breznia e atyre që e kërkojnë, që kërkojnë fytyrën e Perëndisë së Jakobit. selah Ngrijini, o porta, ballinat tuaja! Lartësohuni, o dyer të amshuara, që të hyjë mbreti i Lavdisë! Kush është ky mbreti i Lavdisë? Është ZOTI i fortë e i fuqishëm, është ZOTI i fuqishëm në betejë! Ngrijini, o porta, ballinat tuaja! Lartësohuni, o dyer të amshuara, që të hyjë mbreti i Lavdisë! Kush është ky mbreti i Lavdisë? ZOTI i ushtrive, ai është mbreti i Lavdisë! selah
Psalmet 24:1-10