Psalm 19:1-9

Qiejt shpallin lavdinë e Perëndisë, kubeja qiellore kumton veprën e duarve të tij. Dita i çon fjalë ditës, nata i bën me dije natës. Nuk bëzajnë, nuk nxjerrin fjalë, as që u dëgjohet zëri. Por, jehona e tyre përhapet në tërë dheun dhe fjalët e tyre deri në skajet e botës. Atje i ka bërë një tendë diellit, ai është si dhëndri kur del prej dhomës, si trimi që ngazëllon kur merr hov. Lind në njërin skaj të qiellit e deri në tjetrin rrotullohet, nxehtësisë së tij s'i fshihet askush. I përsosur është ligji i ZOTIT, shpirtin përtërin, e vërtetë dëshmia e ZOTIT, të thjeshtit i jep urti. Porositë e ZOTIT janë të drejta, zemrën e gëzojnë, urdhërimet e ZOTIT janë të pastra, syve u japin dritë.
Psalmet 19:1-9