Psalm 122:1-9

U gëzova kur më thanë: «Të shkojmë në shtëpinë e ZOTIT!». Dhe, ja, këmbët tona u ndalën te portat e tua, o Jerusalem! Jerusalemi, ndërtuar si një qytet, i bashkuar e i mbledhur tok. Atje ngjiten fiset, fiset e ZOTIT, sipas dëshmisë dhënë Izraelit, për të përlëvduar emrin e ZOTIT. Atje janë vënë fronet e gjykimit, fronet e shtëpisë së Davidit. Lutuni për paqen e Jerusalemit: «Qofshin të begatë ata që të duan! Pastë paqe brenda mureve të tua, qetësi në fortesat e tua!». Për hir të vëllezërve e të miqve të mi, teksa do të them: «Paqja qoftë me ty!». Për hir të shtëpisë së ZOTIT, Perëndisë tonë, do të kërkoj të mirën tënde.
Psalmet 122:1-9