Proverbs 3:11-26

Biri im, mos e shpërfill mësimin e ZOTIT e mos u bezdis nga qortimi i tij, se ZOTI e ndreq atë që e do, porsi një atë birin e dashur. Lum njeriu që e ka gjetur urtinë, lum ai që ka kapur arsyen, është më e vlefshme se argjendi, më e dobishme se ari, më e çmueshme se margaritarët, e pakrahasueshme me asnjë kënaqësi. Në të djathtë mban jetëgjatësinë, në të majtë pasurinë e nderin. Udhët e saj janë të këndshme, tërë shtigjet e saj të paqme. Për kë e rrok atë, ajo është pema e jetës; lum ai që kapet pas saj. ZOTI e themeloi tokën me urti e me mençuri i nguliti qiejt. Me dijen e tij shpërthyen humnerat e retë pikuan vesën. Biri im, mos i hiq sysh këto gjëra, ruaj mençurinë e maturinë, se do të jenë jetë për ty, stoli rreth qafës sate. Atëherë do të ecësh i sigurt udhës sate e këmba jote nuk do të pengohet. Kur të biesh në shtrat, s'do të trembesh, do të biesh e do të bësh gjumë të ëmbël. Mos ki frikë nga tmerri i beftë a nga shkretimi i të paudhëve, kur të vijë, se ZOTIN pranë do ta kesh e do të ta ruajë këmbën nga leqet.
Fjalët e urta 3:11-26