Micah 6:1-8

«Dëgjoni, pra, ç'thotë ZOTI: ngrihu e dil në gjyq para maleve, kodrat le ta dëgjojnë zërin tënd! Dëgjoni, o male, e ju, o themele të paepura të tokës, gjyqin që po bën ZOTI, se me popullin e tij po hahet, Izraelin po padit. Ç'të bëra, o populli im? Si të mërzita? Përgjigjmu! Të nxora nga dheu i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë të çlirova. Para teje dërgova Moisiun, Aronin e Mirjamën. O populli im, kujto ç'kurdisi Balaku, mbreti i Moabit, ç'përgjigje i ktheu Balaami, biri i Beorit, çfarë ndodhi mes Shitimit e Gilgalit, që t'i mësosh veprat e drejta të ZOTIT. Si do t'i dal para ZOTIT e të përulem para Perëndisë së tejlartë? A t'i dal me fli shkrumbimi a me viç motak? A do të kënaqet ZOTI me mijëra desh a me qindra mijëra përrenj vaji? A t'i jap të parëlindurin për shkeljen time a frytin e barkut për mëkatin tim? O njeri, ai ta tregoi çka është e mirë, çka ZOTI kërkon prej teje: veç të veprosh drejt, të duash mirësinë dhe të jesh i përulur me Perëndinë tënd.
Mikea 6:1-8